Cili është krimi që ka bërë Mina Malin, çfarë ngjau mes saj dhe Aaro Harjulas, çfarë fshehin të gjithë, çfarë kërkon vërtet të mësojë gjykatësi Emil Halenberg? Një grua revolucionare e burgosur, e akuzuar për një krim mizor, një ushtar që nuk i është bindur urdhrit për ta vrarë, një gjykatës-shkrimtar, i ngarkuar me çështjen. I gjithë romani zhvillohet mes këtyre tre personazheve dhe mes tensionit të vazhdueshëm të raportit të paqartë që i lidh, mes armiqësisë dhe tërheqjes, urrejtjes dhe dashurisë, vullnetit për sundim dhe prirjes për ligështim dhe shlyerje faji. Fate individuale që janë pasqyrë e përhumbjes së një epoke, Luftës Civile në Finlandën e 1918-s, kur kufijtë mes të mirës dhe të keqes, fajit dhe pafajësisë, dobësisë dhe rebelimit ndaj një sistemi shuhen derisa e bëjnë çdo gjykim të paqartë.