Ideja për të shkruar këtë libër ka nisur vite më parë sepse gjithmonë kam pasur dëshirë të njoh më në thellësi historinë e Shqipërisë, sidomos një pjesë të veçantë të saj, ku përfshihet lindja e shtetit shqiptar, luftërat ballkanike, në veçanti lufta e Shkodrës dhe vazhdimi i kësaj periudhe të paktën deri në vitet 1920. Jam përpjekur të mbledh dokumente të ndryshme, artikuj e studime, libra e autorë, sidomos të huaj, të cilët kanë shkruar e kanë mbrojtur tituj shkencorë nëpër universitete të njohur të botës pikërisht me këto tema. Ata kanë shtjelluar gjerësisht disa nga problemet kryesore të Shqipërisë së atyre viteve të cilat ende kanë impakt edhe sot në shoqërinë tonë komplekse, moderne apo jo.