Kishinjev, Moldavi. Lastoçika e vogël birësohet nga mbledhësja e shisheve Tamara Pavlovna. Lastoçika shkon në shkollë, mëson rusisht, edhe pse parapëlqen gjuhën e saj, dhe ndëshkohet nga e ëma kur nuk e flet siç duhet rusishten. Ajo mëson të lajë shishe, por edhe të vjedhë apo të refuzojë kërkesat e burrave tepër këmbëngulës… Fqinjët e saj bëhen familja e saj e re dhe i japin pak nga mirësia e tyre. Por plagët nuk zhduken dhe pyetjet e mundojnë.
“Kopshti prej qelqi” është një roman intim për traumat e fëmijërisë, kërkimin e vetvetes dhe identitetit në një mjedis shumëkulturor dhe dygjuhësh. E parë përmes syve të një fëmije, historia tregohet me ndjeshmërinë, brishtësinë, ashpërsinë dhe empatinë e moshës. Fëmijëria e saj i ngjason shumë lodrës aq të dëshiruar nga Lastoçika – kaleidoskopit – të cilin e gjeti në rrotat e një makine dhe që dukej i plotë, megjithëse ishte i thyer brenda.
Por “Kopshti prej qelqi” është edhe një letër imagjinare nga Lastoçika, e rritur tashmë, për prindërit e saj. Dhimbja prej braktisjes, mungesa e dashurisë dhe butësia amësore janë plagë që nuk shërohen.