“Djaloshi i rikshës” është roman klasik i Kinës moderne, shkruar nga autori i famshëm Lao She gjatë viteve 1930. Historia ka në qendër jetën e një djali me rikshë, të sinqertë dhe punëtor, Xiangzi, që vuan shtypjen mizore, e zakonshme për të varfrit në Pekinin “e vjetër”. Duke qenë i ri, i fortë dhe me vetëbesim, Xiangzi përpiqet të kursejë para për të blerë një rikshë të vetën, që të punojë me të dhe jo të keqtrajtohet nga ata që zotërojnë dhe japin me qira riksha. Ai fillon të ndërtojë një jetë të mirë për veten, kur gruaja me të cilën martohet e ndihmon të blejë një rikshë. Jeta e tij merr një kthesë tragjike kur i vdes e shoqja dhe ai detyrohet ta shesë rikshën për të shlyer borxhet. Xiangzi është shembulli domethënës i shtypjes së klasës punëtore të Kinës nga një sistem i korruptuar. Romani mbështetet në njohjen e drejtpërdrejtë të autorit për gjendjen e vështirë të njerëzve, si protagonisti i romanit, djaloshi i rikshës. “Djaloshi i rikshës” është ndër romanet më prekëse dhe të suksesshme shkruar nga një prej autorëve më prodhimtarë të letërsisë moderne kineze. Lao She shquhet për portretizimin e gjallë të personazheve, si dhe për një mënyrë dinamike dhe thumbuese në stilin e tij shumë tërheqës.
Lao She (1899-1966) është pseudonimi letrar i shkrimtarit Shu Sheyu. Nga viti 1924 ishte lektor për gjuhë e letërsi kineze në Shkollën e Studimeve Orientale të Universitetit të Londrës. U kthye në Kinë më 1930 e dha mësim në Universitetin Qilu në Jinan e në Universitetin e Shandongut në Qingdao. Vazhdoi të shkruante edhe gjatë luftës kundër Japonisë e mori pjesë aktive në organizimin e Shoqatës Kombëtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rezistencës. Më pas u largua nga Kina për në Shtetet e Bashkuara, ku dha leksione dhe vazhdoi të shkruajë derisa u kthye në vitin 1949. U përfshi i tëri në punët e Kinës së Re duke qenë i ngarkuar me punë shumë të rëndësishme shtetërore dhe politike, por edhe në fushat e artit e të kulturës.