Miriam Toews (1964) u rrit në Steinbach, Manitoba (Kanada) në një familje menonite, prejardhje që ndikoi në krijimtarinë e saj. Është autore e romaneve bestseller: Summer of My Amazing Luck, A Boy of Good Breeding, A Complicated Kindness, The Flying Troutmans, Irma Voth, All My Puny Sorrows. Ka fituar çmime të shumta letrare: Governor General’s Award for Fiction dhe Writers’ Trust Engel Findley Award. Ka qenë dy herë finaliste për Scotiabank Giller Prize dhe dy herë fituese e Rogers Writers’ Trust Fiction Prize.
Për arritjet e shumta si një nga romancieret më të rëndësishme bashkëkohore kanadeze, Universiteti i Uinipegut i ka akorduar titullin Doktor Honoris në Letërsi.
Mjeshtërisht dhe me emocion, Toews ndriçon qoshet e errëta të përvojës njerëzore. Babai i saj, një mësues i respektuar, u vetëvra më 1998. Kjo e frymëzoi Toewsin të shkruante librin biografik: Swing Low: A Life. Libri fitoi Çmimin Alexander Kennedy Isbister për kategorinë nonfiction dhe Çmimin McNally Robinson Book of the Year.
Miriam Toews kishte rol kryesor në filmin e regjisorit meksikan Carlos Reygadas Silent Light, fitues i Çmimit të Jurisë në Kanë 2007. Kjo ishte një përvojë që frymëzoi romanin e saj të pestë, Irma Voth. Librat e saj janë përkthyer në italisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, holandisht, serbisht, turqisht etj.
Gjithë brengat e mia të vogla është libri i parë i përkthyer në shqip, që do të ndiqet së shpejti nga një libër tjetër: Gra që flasin.