Tre fëmijët Bodlerë – Violeta, Klausi dhe Diellza – kanë mbetur jetimë dhe u është dashur të përballen me vetë të keqen: Kontin Olaf, i pamëshirshëm, tinëzar, i gatshëm të bëjë gjithçka për t’u rrëmbyer pasurinë. Pasi i shpëtojnë nga kthetrat, tre Bodlerët gjejnë strehim te dr. Montgomeri, një zotëri i çuditshëm, i cili i pret në një shtëpi të mbushur me zvarranikë, pasioni dhe puna e tij. Fëmijët e ndiejnë se mund t’i besojnë këtij burri të mirë, të cilin nuk e kanë takuar kurrë më parë, por që duket se ka një dashuri të sinqertë për ta, që nuk lidhet me paratë. Dhe çastin fillestar të mosbesimit e kalojnë shpejt, sepse deri edhe gjarpërinjtë e frikshëm tregojnë anën e tyre të mirë me jetimët Bodlerë.
Por prapa qetësisë në dukje, pavarësisht nga mosha, fëmijët e dinë se paqja në shtëpinë e re nuk do të zgjasë shumë, e lëre më përgjithmonë. Sepse, edhe nëse nuk mund ta shohin, Konti Olaf nuk dorëzohet dhe, në mënyrat e tij, po komploton një plan të errët, me të njëjtin fiksim në kokë: t’i shkatërrojë dhe t’i grabisë…
Libri i dytë i serisë “Aventurat fatkeqe të jetimëve Bodlerë” është po aq argëtues e plot humor sa i pari. Tre protagonistët e rinj formojnë një skuadër të mrekullueshme e përballen me një mijë vështirësi, secili me dhuntinë e vet: dikush me dhëmbët e fortë, dikush me librat e lexuar dhe Violeta, me talentin e shpikjes. Lexuesit do të duan të mësojnë se çfarë tjetër do t’i ndodhë kësaj tresheje vogëlushësh, kur të rriturit nuk besojnë çka po ndodh nën hundën e tyre dhe mendojnë se mund t’i mbrojnë fëmijët, shumë më të zot se ata.
Lexuesi i ri e adhuron këtë seri, të përkthyer në shumë gjuhë.
Në e ke marrë këtë libër me shpresën se ka një histori të thjeshtë e të gëzuar, druaj se ke marrë librin e gabuar. Historia mund të duket e bukur në fillim, kur Bodlerët e vegjël kalojnë kohë në shoqërinë e disa zvarranikëve interesantë dhe të një xhaxhai hutaq, por mos u gënje. Në qoftë se i njeh tashmë vogëlushët e pafat Bodlerë, duhet ta dish se edhe ngjarjet e këndshme përfundojnë gjithmonë në mjerim.
Në të vërtetë, brenda faqeve të librit që mban në duar, tre jetimët pësojnë aksident rrugor, u duhet të durojnë një erë shumë të keqe, takojnë një gjarpër vrastar, gjenden përpara një thike të gjatë, u bie në kokë një abazhur i rëndë tunxhi dhe u rishfaqet në jetë një njeri të cilin kishin shpresuar që të mos e shihnin më kurrë me sy.
Unë jam i detyruar t’i hedh në letër këto ngjarje tragjike, por ti je i lirë ta kthesh këtë libër në bibliotekë e të kërkosh një rrëfim më të lehtë.
Me respekt,
Toz Lejmoni
Lemony Snicket ka lindur në një qytezë ku banorët ishin gjithë kohën sy e veshë ngritur dhe gati të përfshiheshin nëpër grindje. Sot ai jeton në një qytet. Gjatë kohës së lirë, mblidhte prova rreth trazirave, të cilat u pasqyruan më pas në librat e tij. Ky është libri i parë i serisë “Aventurat fatkeqe të jetimëve Bodlerë” që po botohet nga DITURIA. Lemony Snicket është autor i trembëdhjetë vëllimeve në këtë seri, disa librave me ilustrime, përfshirë Errësira, dhe librave të titulluar së bashku Të gjitha pyetjet e gabuara.
Arti i famshëm i Brett Helquist ka zbukuruar libra të tillë si libri i këndshëm Bedtime for Bear, tekstin e të cilit e shkroi vetë, deri te bestselleri “Aventurat fatkeqe të jetimëve Bodlerë” shkruar nga Lemony Snicket dhe përshtatja e mrekullueshme e librit me ilustrime Këngë Krishtlindjeje të Çarls Dikensit. Ai jeton me familjen në Brooklyn, New York.