Sfida estetike e Samuel Beketit
Autori: Loran Gami Kategoria: Botime për të rritur, Studime për letërsinë Përkthyes: Viti i Botimit: 2024 ISBN: 978-9928-816-27-9 Numri i faqeve: 328 Pages Çmimi: 1200
Përshkrimi:

Sot, edhe pas shumë dhjetëvjeçarësh nga koha kur u krijua, i gjithë opusi i Samuel Beketit vazhdon të lexohet, të diskutohet e të vihet në skenë në të gjithë botën. Kjo dëshmon se vepra e tij nuk ishte thjesht një trill i kohës, por një vepër me një forcë të tillë estetike, që i tejkalon kufijtë e kohës kur lindi dhe u zhvillua. Libri është mbështetur kryesisht në punimin e doktoratës së Dr. Gamit, natyrisht, duke shtuar e modifikuar ide e fragmente të ndryshme. Pasazhet e veprave të cituara në të janë përkthyer nga vetë autori, çka, krahas vështirësisë së trajtimit të një shkrimtari të tillë si Beketi, ka qenë një sfidë më vete. Punimi është i ndarë në gjashtë kapituj, në të cilët trajtohen me radhë: konteksti kulturor e intelektual i kohës, ngjizja e dalja në skenë e Teatrit të Absurdes; aspekte kryesore të estetikës në veprën e Beketit, disa nga aspektet më të rëndësishme filozofike në veprën e shkrimtarit; çështje të mbrujtjes së psikologjisë së personazheve dhe raportit që kanë me realitetin; ndërtimi i dramave të Beketit; analizimi i gjuhës në veprën e tij, duke trajtuar posaçërisht ndikimet që mund të ketë pasur ai nga mendimtarë si Ludvig Vitgenshtajni dhe Fric Mautneri. Vepra e Beketit shpërfaq vlera universale në mënyrën se si i trajton çështjet themelore të ekzistencës njerëzore. Dhe, ndonëse shumë lexuesve kjo vepër u ngjan “e errët” e pesimiste, mund të thuhet se Beketi e paraqet unin njerëzor ashtu siç është në të vërtetë, “të  flakur” në një ekzistencë absurde ku mbështetjet sociale, metafizike e teologjike duket se nuk mjaftojnë për ta mbyllur atë Hiç që e rrethon me gjithsej. Në këtë drejtim, ai ndjek, ndonëse duke përdorur mjete të tjera artistike, atë hulli të hapur më parë nga shkrimtarë si Xhozef Konradi e Franc Kafka.

… Një studim, ndër të paktët në këtë fushë në gjuhën shqipe, që hulumton krijimtarinë e Samuel Beketit, njërit prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë…

<< Back