Janis Ricos (1 maj 1909, Monemvasia, Peloponez – 11 nëntor 1990, Athinë) konsiderohet një nga poetët më të mëdhenj grekë të shekullit të 20. U propozua nëntë herë për Çmimin Nobel për letërsinë, por pa sukses, sigurisht edhe për shkak të bindjeve shumë të majta. Pati një jetë të vështirë, që nga rinia e më tej, me shumë punë e përpjekje. Gjatë Luftës Civile (mesi i viteve ‘40), Ricosi u angazhua në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushtoi katër vjet internim nëpër ishuj. Nga ferri i këtyre kampeve shpëtoi përkohësisht, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve, si Eluar, Aragon, Neruda, Picasso etj. Më 1956, botoi veprën e madhe të pjekurisë së tij Sonatë në dritën e hënës, që e bëri fitues të Çmimit Kombëtar të Poezisë. Në fund të viteve ‘60, junta ushtarake në pushtet e internoi përsëri poetin në ishuj, çka nuk e pengoi ta pasuronte më tej veprën. Nga viti 1970, poezia e Ricosit mori formën e sintezave të gjata, ku ëndrra dhe surealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, me praninë e personazheve të çuditshme dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë e hapësirë. Vëllimi Erotika përbën një himn shndritës për dashurinë. Vitet ‘80 e kthyen Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik, ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat. Janis Ricos është autor i 150 vëllimeve me poezi dhe shumë vëllimeve në prozë, por ka edhe mjaft vepra të pabotuara apo të humbura.