Ndre Mjeda (1866-1937). Duke qenë një nxënës i shkëlqyer, jezuitët e çuan të studiojë jashtë që në moshë të re, fillimisht në Spanjë e më pas në Itali, ku edhe mbaroi studimet në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin Gregorian në Romë. Kur u kthye në Shqipëri, themeloi me të vëllanë shoqërinë Agimi me karakter më tepër gjuhësor sesa letrar, më vonë hapi një shkollë shqipe në Dajç të Zadrimës, në vitin 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si anëtar komisioni në caktimin e alfabetit, qe deputet i opozitës në Kuvendin Kombëtar dhe Asamblenë Kushtetuese përgjatë 1920-1924 dhe vitet e fundit të jetës i kaloi si mësues i gjuhës dhe i letërsisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër. Njohës shumë i mirë i tetë gjuhëve të huaja, studiues i autorëve të vjetër shqiptarë (Budit e Bogdanit), mësues i devotshëm, gjuhëtar, përkthyes, hulumtues i historisë sonë të lashtë, atdhetar i flaktë, Mjeda la pas vepra të pakta në sasi, por që zënë një vend të rëndësishëm në fondin e letërsisë shqipe: Juvenilia, Andrra e jetës, Lissus, Shkodra etj.