NJË SERI QË DUHET TA SHMANGNI NËSE PO KËRKONI NJË FUND TË LUMTUR! NJË SUKSES I PATURPSHËM NË SHITJE, I KTHYER NË NJË EPIDEMI LETRARE
Në këtë libër të tretë, jetimët Bodlerë, të cilët i njohim tashmë nga dy romanet e mëparshme Fillimi i mbrapshtë dhe Salla e zvarranikëve, i dorëzohen një kujdestareje te re, teto Jozefinës (që, në të vërtetë, është një kushërirë e largët). Ajo jeton në një shtëpi të vogël në majë të një shkëmbi dhe ka frikë nga gjithçka, deri në atë pikë sa nuk e ndez sobën për të gatuar që të mos i vërë flakën shtëpisë, ose nuk i përgjigjet telefonit nga frika se mos e zërë korrenti.
Përfytyroni të jetoni me këtë teto të moshuar të fiksuar pas gramatikës, që u jep ushqime të neveritshme dhe jeton në këtë shtëpi të rrënuar me pamje nga një liqen i mbushur me shushunja të egra… por kjo nuk është më e keqja. Një rrezik i ri u kanoset jetimëve simpatikë: konti Olaf, i maskuar si Kapedan Shtira. Bukur, apo jo?
I dashur lexues,
Në qoftë se nuk di asgjë për jetimët Bodlerë, atëherë para se të lexosh më tej, duhet të dish që Violeta, Klausi dhe Diellza janë zemërmirë dhe mendjeshkathët, por më vjen keq të them, në jetë nuk njohin veçse fatkeqësi dhe halle të mëdha. Të gjitha tregimet për këta tre fëmijë janë të zymta e të mjera. Në këtë libër që mban në duar, është shkruar tregimi më i mjerë nga të gjithë.
Në qoftë se mendon se nuk bën për ty tregimi me uragan, pajisje alarmi, shushunja të uritura, supë të ftohtë kastravecësh, një njeri të poshtër dhe me një kukull të quajtur Borka Bukuroshe, atëherë ky libër do të të dëshpërojë.
Unë do të vazhdoj t’i shkruaj këto histori tragjike, se këtë punë kam. Ndërsa ti vendose vetë në i bën dot ballë a jo leximit të këtij tregimi të rëndë.
Me respekt,
Toz Lejmoni
Lemony Snicket ka lindur në një qytezë ku banorët ishin gjithë kohën sy e veshë ngritur dhe gati të përfshiheshin nëpër grindje. Sot ai jeton në një qytet. Gjatë kohës së lirë, mblidhte prova rreth trazirave, të cilat u pasqyruan më pas në librat e tij. Ky është libri i parë i serisë “Aventurat fatkeqe të jetimëve Bodlerë” që po botohet nga DITURIA. Lemony Snicket është autor i trembëdhjetë vëllimeve në këtë seri, disa librave me ilustrime, përfshirë Errësira, dhe librave të titulluar së bashku Të gjitha pyetjet e gabuara.
Arti i famshëm i Brett Helquist ka zbukuruar libra të tillë si libri i këndshëm Bedtime for Bear, tekstin e të cilit e shkroi vetë, deri te bestselleri “Aventurat fatkeqe të jetimëve Bodlerë” shkruar nga Lemony Snicket dhe përshtatja e mrekullueshme e librit me ilustrime Këngë Krishtlindjeje të Çarls Dikensit. Ai jeton me familjen në Brooklyn, New York.