Në zemrën e zezë të kozmosit, gjashtë astronautë, dy gra dhe katër burra, udhëtojnë në orbitë rreth Tokës, në bordin e një stacioni hapësinor. Vijnë nga Amerika, Rusia, Italia, Britania e Madhe e Japonia dhe janë nisur për të studiuar planetin e heshtur blu, ku jeta, nga e cila janë përjashtuar, rrjedh vrullshëm: një martesë në krizë, një varrim, një vëlla i sëmurë, një tajfun që kërcënon me shkatërrim.
I shohim në çaste të shkurtra intimiteti, teksa përgatisin ushqime të dehidratuara, bëjnë ushtrime që të mos u atrofizohen muskujt, pluskojnë në një gjumë pa gravitet dhe, për t’i shpëtuar vetmisë, fillojnë të afrohen mes tyre. Secili i zhytur në mendimet e veta dhe në të kaluarën atje poshtë, në Tokë, por sa më shumë kalon koha, aq më tepër fillojnë të ndihen pjesë e një trupi të vetëm: Pietro është mendja, Antoni – zemra, Romani – duart, Çieja – ndërgjegjja, Shoni – shpirti dhe Neli – fryma.
I thellë dhe prekës, Në orbitë është një këngë dashurie kushtuar bukurisë së universit dhe të planetit tonë, i cili, i parë nga larg, shfaqet i çmuar dhe i brishtë, një xhevahir që rri pezull në pafundësi, një parajsë që duhet mbrojtur. Me një zë magjepsës, Samantha Harvey na kujton se, përballë pafundësisë së kohës dhe hapësirës, ne jemi vetëm gjethe të vogla në erë dhe se jeta jonë merr formë prej ëndrrave e vizioneve që kemi për të ardhmen.
Ky libër është për ata që dikur i kthenin shishet në anije kozmike magjike, për ata që shohin penelatat e William Turnerit në peizazhet e përmbytura nga drita, për ata që pluskojnë e vërtiten në thellësitë e një ëndrre dhe për ata që kanë kuptuar se ne ekzistojmë në një lulëzim të përkohshëm jete e dijeje – një shpërthim veror, i shkurtër sa një rrahje qepallash.
“Jashtëzakonisht i bukur.”
Joshua Ferris, New York Times
“Proza e saj është kaq mahnitëse, sa të lë pa frymë… Nuk ka konflikte të mëdha personale në këtë roman dhe vetëm dy janë ngjarjet e rëndësishme: që të dyja ndodhin në Tokë, por ndjenja e kënaqësisë që përcjell proza elegante dhe meditimet filozofike të Harveyt, e bëjnë këtë një libër thellësisht të këndshëm për dashamirësit e flaktë të fictionit.”
Wendy Smith, Boston Globe
“Një roman i hollë dhe i thellë i frikërave më të thella njerëzore në sfondin e peizazheve madhështore.”
The Guardian
“Një libër kaq i bukur, sa duhet të hapësh zemrën prej lexuesi për ta rrokur të tërin… Harvey është një mjeshtre e pashoq e stilit… Një letër e mrekullueshme dashurie për Tokën dhe një mësim përulësie.”
Max Porter, shkrimtar