Sulltan Mehmeti II, i njohur si “Pushtuesi”, po recitonte një poezi persiane të trishtuar në sallat e pallatit mbretëror të Kostandinopojës, i nënshtruar së fundmi. Përballë pafundësisë së pushtimeve të tij, fitimtari i basileusit të fundit nuk mund të mos ndiente melankolinë e dekadencës. Ndërmjet shekujve XIV dhe XX, osmanët ndërtuan një perandori të madhe mes Perëndimit dhe Lindjes, me synimin e qartë për të bashkuar Azinë me Europën. Sulltanët e saj besonin se ishin pasardhës të Kostandinit të Madh dhe ushqenin ëndrrën për të pushtuar “Mollën e Kuqe”, pra Romën, me shumë gjasë.
Historia e osmanëve, afër dhe larg për ne, e njohur dhe në të njëjtën kohë misterioze, sepse në thelb ishte historia e të tjerëve, tregon për një hordhi të ardhur nga stepat aziatike, që u përhap me shpejtësi në hapësirën e pushtuar më parë nga Perandoria e Lindjes dhe dominoi për shekuj me radhë Detin Mesdhe. Ajo mbretëroi në paqe të brendshme mbi fetë dhe popujt e ndryshëm, të mbrojtur e shpesh të favorizuar nga një sistem qeverisjeje që deri në shekullin XVIII rivalizonte atë perëndimor, si një alternativë e preferuar në sytë e disave. Por është gjithashtu pjesë e mosmarrëveshjeve të përjetshme midis popujve sedentarë e nomadë dhe pjesë e historisë së përbashkët të popujve, emrat e vendeve të të cilëve sot përfundojnë me prapashtesën “stan”. Është historia e një kulture dhe e një gjuhe, fjala më e gjatë e së cilës ka 70 shkronja; dhe historia e mbijetesës së pamposhtur të traditës së stepave brenda një elite shumë të rafinuar (deri në mbledhjet vendimtare të divanit, qeverisë perandorake, që mbaheshin mbi kalë).
Për mijëvjeçarin osman, Alessandro Barbero vizaton tablotë komplekse të një qytetërimi, lëviz dinamikën e ngjarjeve të mëdha, të ngjarjeve legjendare dhe betejave vendimtare, rikthen aromën dhe karakterin e një forme kulture sa të huaj aq edhe të modeluar nga kontakti me tonën, rikrijon, përmes pasurisë së rrëfimit, atmosferën e përditshme: në një histori që, duke qenë ajo e një Europe tjetër, është edhe historia jonë, plot domethënie aktuale.
Divani i Stambollit nga Alessandro Barbero është ndoshta libri më i mirë i shkruar ndonjëherë në italisht për Perandorinë Osmane, që i jep mundësi lexuesit të vëzhgojë botën përmes syve të kësaj fuqie të lashtë.
“Alessandro Barbero vazhdon të na mahnitë me begatinë e materialit dhe kureshtjen, që e bëjnë të kapërcejë profesionin e historianit mesjetar për t’iu kushtuar rrëfimit artistik, duke u mbështetur në sfonde të ndryshme e të pazakonta historike.”
Lorenzo Mondo
Tutto Libri – La Stampa