A është e lehtë të jetosh me një gjeni?
Këtë do t’jua tregojë romani i ri i mrekullueshëm i T. C. Boylet, Gratë. Pasi risolli në jetë të famshmin mbret ekscentrik John Harvey Lellogg në The Road to Wellville dhe studiuesin e seksit Alfred Kinsey në The Inner Circle, Boyle përvijon këtë herë një tjetër karakter të gjallë e plot ngjyra: arkitektin e famshëm Frank Lloyd Wright. Rrëfimi i vërtetë dhe trillimi janë ndërthurur me mjeshtëri për të treguar jetën e një njeriu si Wright-i, duke zgjedhur një mënyrë shumë origjinale, një detaj fort domethënës: katër gratë e tij, që e deshën pa kushte, nëpërmjet të cilave krijoi kësisoj këtë vepër madhështore.
Wrighti jetoi duke iu kundërvënë rregullave të ngurta të vendosura nga shoqëria, qofshin këto estetike, morale apo romantike. Asnjëherë nuk bëri çfarë pritej dhe, me gjithë skandalet e mëdha që shoqëronin dashuritë dhe divorcet e tij, si dhe vështirësitë financiare pa mbarim, ai kurrë nuk lejoi të ndikohej në vizionin dhe dëshirat e tij. Fitoret dhe humbjet e Wrightit lidheshin përherë me gratë që donte: Olgivana Milanov, malazeze, mospërfillëse dhe me bukuri ekzotike, nxënëse e balerinit të famshëm Gurdjev që njihej prej nxënësve të Wrightit si “Ledi dragua”; Mod Miriam Noel, një bukuroshe pasionante prej Jugu, me temperament të fortë, morfinomane; Mejmaha Borthuik Çeni, mjaft e ndjeshme e që u vra në mënyrë tragjike në shtëpinë e Wrightit, në Taliesin (Wisconsin) më 1941; dhe gruaja e tij e parë, shumë e re, Kiti Tobin, me të cilën pati gjashtë fëmijë.
Kuptohet vetiu, pa shumë komente, se ky është një subjekt i mrekullueshëm për një shkrimtar të mençur e të guximshëm, siç është Boyle. Gratë është një dramë tërheqëse dhe tej mase argëtuese rreth martesës, marrëdhënies mes burrave e grave, privilegjit dhe gërshetimit të gjenialitetit e famës, shkruar nga një prej shkrimtarëve amerikanë më të talentuar dhe me imagjinatë të pamatë të kohës sonë.