Blogu

Prezantimi i vëllimit poetik “E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty” i Alda Merinit, përkthyer nga Ledia Dushi

“Alda Merini është një nga poeteshat italiane më të dashura të shekullit XX, që e sublimoi përvojën e saj të dhimbshme biografike në poezinë e vet plot pasion. Një jetë, e saja, emocionuese dhe pasionante, dramatike dhe e jashtëzakonshme: talenti i parakohshëm dhe frekuentimi në një moshë shumë te re i intelektualëve më të mëdhenj italiane, sëmundja mendore dhe shtrimet në spitale, dy martesat dhe dashuritë e saj të mëdha, fama që mbërriti vonë, vëllimet e shumta poetike te botuara në kohë të ndryshme etj. bëjnë që botimi i poezive të saj në shqip të jetë një pasurim edhe i kulturës sonë…” tha botuesi, Petrit Ymeri, ne takimin prezantues të vëllimit “E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty”, takim që u mbajt në prani te lexuesve, botuesve, studiuesve dhe të vetë përkthyeses, Ledia Dushi.

Ne takim poetja dhe përkthyesja Ledia Dushi foli për thellësinë e kësaj poezie, “ku mund të futesh lehtazi, por nuk del aq lehtë”, të një autoreje që “dashurinë e shihte si ndjenjën qe shtyn botën përpara, komplekse dhe mjaft të rafinuar”, si dhe për zgjidhjen e saj për ta përkthyer poezinë në një gegërishte të përpunuar, pas propozimit te botuesve te Diturisë.

Studiuesja dhe përkthyesja Diana Kastrati foli për Merinin dhe kontributin e saj në poezinë italiane, mesazhet dhe emocionet e poezisë së dashurisë dhe përkthimin e ëmbël, poetik, besnik dhe “të dashtun” për veshin, edhe për hir të faktit që përkthimi “është këndellur” në gegërishte.

Botuesi i Ombrës, Gezim Tafa, vuri në pah kujdesin që është treguar me anën estetike të vëllimit të botuar, që nga formati, kopertina dhe sidomos ilustrimet e Zamfira Hetës, po aq provokative sa edhe vetë teksti i Merinit. Në shembullin e shumë poeteve që kanë bashkëpunuar me piktorë të mëdhenj, Tafa theksoi që kjo është një nga mënyrat më të mira për të tërhequr vëmendjen te poezia.

#AldaMerini#LediaDushi#EACEA#Creativeeurope#Poezidashunie