Mutacionet

Francis Kirps

Përktheu: Edvin Cami

164 faqe

Çmimi 800 lekë

Vëllimin Mutacionet, një përmbledhje mbresëlënëse prej shtatë tregimesh dhe një poezi, Francis Kirps e ka ndërtuar në bazë të lidhjeve ndërtekstuale me vepra të shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Këto rrëfime të fuqishme, të shpalosura me shkathtësi, shndërrohen kështu në histori të reja, të pavarura, të bartura tërësisht me zërin dhe fuqinë imagjinare të Francis Kirpsit.
Kështu, miza e shtëpisë Leon Sumsa zgjohet një mëngjes e shndërruar në një “vertebror të përbindshëm”, domethënë në një qenie njerëzore, çka të sjell ndër mend Metamorfozën e Kafkës. Luani i satirës së Kurt Tucholskyt (Luani është lëshuar) kthehet te Kirpsi në një ari polar që shëtit nëpër Berlin. Modeli i statujës së Venerës së ishullit të Prosper Merimesë punon si skllave në një “ndërmarrje” të lashtë romake, e ngritur mbi paralele mbresëlënëse me botën e punës në ditët tona. Anekdota nga lufta e fundit prusiane, e Heinrich von Kleistit, zhvendoset në të ardhmen, teksa katër njerëzit e fundit janë në luftë me njëri-tjetrin. Ndërsa Thirrja e ariut të madh e Ingeborg Bachmannit ndërthuret me mitin e Ktulhuit të Lovecraftit, për të krijuar një frymë poetike si ajo e Gottfried Bennit.

Category:

Rreth autorit

Francis Kirps

Francis Kirps

Francis Kirps jeton dhe punon në Lintgen, Luksenburg. Është diplomuar për psikologji në Universitetin e Strasburgut. Nisi të botonte për herë të parë në revistat studentore në fillim të viteve 1990 dhe më 1998 në revistën kulturore Cahiers Luxembourgeois.
Qysh atëherë, ka botuar dy përmbledhje me tregime (Planet Luxembourg, më 2012 dhe Mutacionet: shtatë histori dhe një poezi, më 2019) dhe një roman (Die Klasse von 77, 2016), si dhe ka dhënë kontribute të shumta në antologji dhe përmbledhje bashkëkohore me tregime.
Është dy herë fitues i çmimit të dytë në Concours Littéraire National, më 2000 dhe 2001, dhe i Çmimit Europian të Letërsisë më 2020. Që prej vitit 2003 ka marrë pjesë rregullisht në sesione leximi e konkurse poetike në vendet gjermanishtfolëse. Kirpsi është bashkorganizator i skenës së vetme të leximit në Luksemburg dhe bashkëbotues i revistës letrare gjermane EXOT.
Që nga viti 2014, shkruan artikuj për faqen satirike të gazetës Tageszeitung.

Rreth përkthyesit

Edvin Cami lindi në vitin 1974 në Tiranë. Përfundoi në vitin 2001 studimet për gjuhë gjermane në Universitetin “Marmara” të Stambollit. Kreu studime pasuniversitare në të njëjtën fushë në Universitetin “Karl Franc” të Gracit (2002), si dhe në Universitetin e Tiranës (2009). Në vitin 2019, doktoroi në Universitetin “Ludvig Maksmilian” të Munihut në fushat letërsi moderne gjermane dhe histori e kulturë e Lindjes së Mesme e turkologji. Është lektor i gjuhës e i letërsisë gjermane në Univer-sitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe në Universitetin e Tiranës, si dhe autor i një numri artikujsh e punimesh monografike botuar brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilët librat Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental (Tiranë 2009) dhe Begegnungen mit dem Orient im literarischen Schaffen Goethes (Berlin 2019). Është njohës i mirë i gjermanishtes, i anglishtes, i italishtes, i frëngjishtes e i turqishtes dhe përkthyes i shumë teksteve letrare e pragmatiste. Nga gjermanishtja përmendim: Siddharta nga H. Hesse, tregime e novela nga H. von Hoffmannsthal, H. Mann, G. Benn, J. Roth, K. Valentin, R. Musil, apo esenë Moisiu i Mikelanxhelos nga S. Freud. Është bashkëpërkthyes i vëllimit poetik Kann keine Trauer sein / Nuk mund të jetë zi, nga G. Benn. Kontribuues në vëllimin dygjuhësh (shqip-gjermanisht) Përrallë dimri - ABC e përkthimit letrar; Ein Wintermärchen / Kleine Fibel der literarischen Übersetzung, me ese e artikuj teorikë mbi përkthimin letrar, përshkrim përvojash dhe përkthime poezie e proze. Nga italishtja: Gruaja leopard nga A. Moravia, si dhe Kronika e Tursun Beut. Nga anglishtja veçojmë: Perandoria Osmane. Periudha klasike 1300-1600 nga H. Inalcik; në bashkëpërkthim, Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë moderne nga S. Show etj. Për projektin ballkanik “Guximi për të kujtuar” të institutit “Goethe”, ka përkthyer nga shqipja në turqisht tregime nga autorë shqiptarë, dhe në shqip tregime e poezi nga autorë turq e qipriotë. Ndër të tjera, është fitues i çmimit të parë për përkthimin në shqip të poetit gjerman G. Benn, më 1998 nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”, si dhe i çmimit të përkthimit më të mirë të Panairit të Librit të Tiranës, 2016, për përkthimin e romanit Dru qershie dhe ndjenja të vjetra të autores Marica Bodrožić.