Blogu

Book trailer: “Vera e Zhytjeve”

“Mendoj se babai im është si pemët. Në dimër bën gjoja sikur nuk jeton më. Pastaj, në verë rilind.”

Një libër për fëmijë me një temë ndryshe, nga ato që zakonisht nuk i zëmë në gojë, sikur t’u ruhemi, sikur të jenë ngjitëse dhe, për më tepër, të turpshme: sëmundjet mendore.

Sara Stridsberg, e njohur për lexuesin tonë, vjen me një libër të ri për fëmijë, që ka në qendër një vajzë të vogël, Zoen, që na tregon me emocion aventurën e saj.

Babai i saj ndodhet në një spital psikiatrik, i rrethuar nga njerëz që “vetëm kontrollojnë që ai të qëndrojë mirë në tokë, që të mos fluturojë larg”.

Deti i pyetjeve, mendimet e thella dhe sytë blu të Zoes na shoqërojnë në një histori intime dhe të dhimbshme, por edhe të vërtetë dhe plot shpresë, falë edhe bukurisë që buron nga çdo faqe e ilustruar.

Fjalët e zgjedhura nga Sara Stridsberg – e cila është marrë shumë herë me këtë temë – janë të përkryera: të drejtpërdrejta, të vërteta, të qarta, pa teprime.

Ilustrimet e Sara Lundberg janë vepra të mirëfillta arti si për të dëshmuar se jeta, kur portretizohet me saktësi, përmban brenda vetes një poezi të thellë dhe prekëse.

Është historia e Zoes, e babait dhe e Sabinës – vetëm kaq – por kjo mjafton për të thënë se kjo histori meriton të njihet nga lexuesit.

Ndiqeni trailerin e përgatitur nga ne dhe ju rekomandojmë ta blini këtë libër: është e rëndësishme të flasim për forcën e familjes.

#SaraStridsberg #SaraLundberg #liberperfemije #libermeilustrime #Zoe #Sokoldemaku #creativeeurope #trailer