Festivali “Mendje e hapur, zemër e hapur”!
Ishte menduar të organizohej si sesion leximi. Por Raimonda Gjencaj di aq bukur t’ua rrëmbejë zemrën fëmijëve sa ata deshën shumë te dëgjonin fjalën e saj… dhe pastaj të vazhdonin me leximin. Sigurisht kur flitet për një histori aventure, fantazie dhe teknologjie, dhe mbi të gjitha, për një personazh që quhet Taku, të cilit i ndodh “gjëma” (a e dini këtë fjalë) pra thyen këmbën dhe ndryshe nga ç’e kishte menduar, detyrohet t’u thotë lamtumirë shumë planeve të veta të pushimeve, të gjithë fëmijët bëhen kureshtarë.
Aq më tepër që është dikush që nuk e braktis kurrë: roboti i tij, ose më saktë Toroboti, Toroboti çapkën, që kur bëhet kamerier, i lan gotat në shatërvan, kurse kur bëhet muzikant, i ngre të gjithë në valle. Çfarë aventurash gazmore që premton ky libër, që i bën mirë zemrës, plot humor dhe ekstravagant, për solidaritetin dhe ndjeshmërinë.
Dhe pikërisht këtu shkrimtarja bëri një pyetje befasuese: çfarë e bën vërtet dikë njeri? Një zë? Inteligjenca? Aftësia për të folur? Apo ndjeshmëria, emocionet, liria për të dashur?
Dhe ndoshta mesazhi më i bukur është pikërisht ky: teknologjia mund të na ndihmojë, të na mahnisë, të na shoqërojë… por nuk duhet të harrojmë kurrë se çfarë na bën njerëz.
Ana Tisi, shkrimtarja për fëmijë, e vleresuar kohët e fundit me një çmim të rëndësishëm si ai “Martin Camaj” u përqendrua më së shumti te libri i fundit i saj. Fëmijët diskutuan me të për raportet e njeriut me kafshët, që janë pjesë e jetës sonë. Të gjithë i donin kafshët, por për kujdesin ndaj tyre u “përtypën”. Sigurisht se kujdesi do edhe pak sakrificë!- i ngacmoi Ana Tisi.
Dhe pastaj biseda shkoi edhe te vlerat që kanë perimet e frutat në ushqimin e fëmijëve, nisur nga një përrallë e librit “Ema e vogël mbi pulëbardhë”. Dhe këtu fëmijët “u zgjuan”. Nisi një debat nëse perimet ishin edhe të shijshme, siç janë me vlera! Pa le, tha nje çupkë, sa e vështirë është të heqësh dorë nga çokollatat dhe ëmbëlsirat.
Ashtu siç shkruan bukur, #anatisi di edhe të flasë bukur.
#shtepiabotuesedituria#adriatikexhdeda#HighschoolWilson#FestivaliOpenmindopenheart#CreativeEurope







