Ky është një libër idesh dhe analize. Është një përpjekje për të shpjeguar shoqërinë moderne nën dritën e përvojës së një autori nga fusha e shkencës shoqërore, duke u ndërthurur prej kohësh kjo përvojë me çështje më praktike, si fitorja në zgjedhje apo drejtimi i institucioneve. Kur e quajta ese këtë libër, kisha ndër mend frymën iluministe me të cilën janë shkruar më tepër se dy shekuj më parë Eseja për tolerancën apo Eseja për historinë e shoqërisë civile. Si toleranca, ashtu edhe shoqëria civile kanë vendin e tyre në shtjellimin tim, ndonëse ky i fundit, siç e thotë edhe titulli, përbën një ese ku trajtohen konflikti shoqëror modern dhe politikat e lirisë.