Romani Dritëhijet e një mendjeje, i botuar për herë të parë më 1983, është ende ndër më të lexuarit në letërsinë holandeze, për hir të rrëfimit unik dhe dramës së tij.
Kjo histori intime dhe mallëngjyese e një të moshuari të prekur nga sëmundja e Alzhajmerit, e merr forcën nga zëri narrativ në vetën e parë i vetë personazhit kryesor. Fillimisht i qartë, megjithëse i lodhur, 71-vjeçari Marten Klajn jeton me gruan, në Gloucester. Me origjinë holandeze, pasi duruan vuajtjet prej pushtimit nazist të Holandës, ata emigruan në SHBA, ku Marteni shërbeu si nëpunës. Hutimi i Martenit pasqyron pështjellimin që ndjeu ai dhe e shoqja, Vera, kur mbërritën për herë të parë në Gloucester. Si të gjithë emigrantët, ata u përballën me një gjuhë tjetër, me një vend të panjohur. Por në këtë terren të brendshëm kaosi, çdo përshtatje është mashtruese: momentet ndryshojnë, rregullat nuk janë më të njëjtat dhe gjuha përfundimisht e tradhton. “Kam nisur t’i humb fjalët, siç humbin njerëzit gjak.”
Kjo sëmundje e pashërueshme, edhe pse rrallëherë vepron aq shpejt sa te personazhi kryesor i Bernlefit dhe, gjithsesi, pak pacientë mbeten kaq reflektues, e degradon shpejt Martenin.
Romani Dritëhijet e një mendjeje është më shumë se një përshkrim i hollësishëm i botës, i parë me sytë e një pacienti me Alzhajmer: është një histori dashurie, që refuzon me kokëfortësi fundin.