Kopshti prej qelqi
Tatiana Țîbuleac
Përktheu: Maniela Sota
200 faqe; 800 lekë
Kishinjev, Moldavi. Lastoçika e vogël birësohet nga mbledhësja e shisheve Tamara Pavlovna. Lastoçika shkon në shkollë, mëson rusisht, edhe pse parapëlqen gjuhën e saj, dhe ndëshkohet nga e ëma kur nuk e flet siç duhet rusishten. Ajo mëson të lajë shishe, por edhe të vjedhë apo të refuzojë kërkesat e burrave tepër këmbëngulës… Fqinjët e saj bëhen familja e saj e re dhe i japin pak nga mirësia e tyre. Por plagët nuk zhduken dhe pyetjet e mundojnë.
“Kopshti prej qelqi” është një roman intim për traumat e fëmijërisë, kërkimin e vetvetes dhe identitetit në një mjedis shumëkulturor dhe dygjuhësh. E parë përmes syve të një fëmije, historia tregohet me ndjeshmërinë, brishtësinë, ashpërsinë dhe empatinë e moshës. Fëmijëria e saj i ngjason shumë lodrës aq të dëshiruar nga Lastoçika – kaleidoskopit – të cilin e gjeti në rrotat e një makine dhe që dukej i plotë, megjithëse ishte i thyer brenda.
Por “Kopshti prej qelqi” është edhe një letër imagjinare nga Lastoçika, e rritur tashmë, për prindërit e saj. Dhimbja prej braktisjes, mungesa e dashurisë dhe butësia amësore janë plagë që nuk shërohen.
Rreth përkthyesit

Maniela Sota
Maniela Sota, përkthyese nga origjinali (rumanisht) i lromanit "Kopshti prej qelqi" Maniela Sota lindi më 1978 në Fier. Përfundoi studimet e larta më 2001 në Universitetin e Bukureshtit, në Fakultetin e Letërsisë, për Gjuhë e letërsi rumune dhe Gjuhë e letërsi angleze. Nga viti 2002 deri më 2010, drejtoi departamentin e gjuhëve të huaja në “Educational Business Links”, Tiranë; prej vitit 2012 interprete simultane në “Cosmos Translations & Events”; prej 2014 përkthyese dhe interprete për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Këshillin e Europës, Delegacionin Europian në Shqipëri, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, etj. Prej vitit 2018 është përkthyese për Projektin EURALIUS V. Autore e disa teksteve shkollore të letërsisë. Gjithashtu ka shkruar edhe artikuj të ndryshëm letrarë. Prej disa vjetësh është përkthyese letrare nga anglishtja dhe nga rumanishtja. Përkthime nga rumanishtja: Mihail Drumeş, Në emër të dashurisë, Dumitru Ion, Vjelja e purpurt; Sh. Emërllaku, Putina moarte (Vdekja e pakët); Besnik Mustafaj, Vara fara intoarcere (Verë pa kthim); Jani Malo, Funerale nesfarsite (Funerale të pafund). Ajo është bashkëpërkthyese e Antologjisë së poezisë ballkanase (O antologie de poezie balcanică). Përkthime nga anglishtja: Colleen Hoover, Hopeless; Randa Abdel-Fattah, No Sex in the City; Harlan Coben, Missing you; Mary Kubica, The Good Girl. Maniela Sota është fituese e çmimit të dytë për përkthimin më të mirë në Panairin e Librit 2018.