Olga prej letre. Misteriozja

Elisabetta Gnone

Përktheu: Albana Nexhipi Lekaj

216 faqe

Çmimi 800 lekë

Çfarë do të thotë të rritesh?
“Të rritesh është punë e ndërlikuar”, do të thoshte mësuesi Debris dhe Olga e di mirë këtë: për të qetësuar një shoqe të re, e cila nuk dëshiron të dëgjojë të flitet për rritjen, Olga i tregon historinë e një vajze të vogël, së cilës rrobat gjithmonë i rrinin shumë të mëdha, edhe pse, sipas etiketës, ishin për moshën apo madhësinë e saj, dhe se si ajo kridhej brenda vizatimeve për t’i shpëtuar jetës së vërtetë. Historia e Misteriozes është historia e atyre që mezi e gjejnë vendin e tyre në botë, u bishtnojnë përgjegjësive dhe detyrave, nuk e mbajnë dot mbi supe këtë barrë dhe luftojnë fort për të mbetur fëmijë. Por është edhe historia e një vajze të vogël që nuk dorëzohet. Një histori që do t’ju bëjë të qeshni, të mendoni dhe të shqyeni sytë nga habia; dhe ajo çka Olga do të mësojë bashkë me shokët dhe lexuesit e të gjitha moshave është e sigurt: kur rritesh, mund ta përballosh jetën me guxim dhe dashuri, vetëm nëse mbetesh paksa fëmijë në shpirt.

Po të mos ishte për rrobat, që gjithnjë i rrinin të mëdha, do të dukej një fëmijë si gjithë të tjerët: as e gjatë, as e shkurtër, as imcake, as e mbushur, aspak e shëmtuar, ndoshta pak e bukur, inteligjente po, por jo gjeni, me pak fjalë, një tip fare i zakonshëm. Edhe emrin të zakonshëm e kishte, por të gjithë e thërrisnin Misteriozja.

Category:

Rreth autorit

Elisabetta Gnone

Elisabetta Gnone

ELISABETTA GNONE ka lindur në Genova dhe jeton në kodrinat e Monferratos. Ka drejtuar disa revista për gratë dhe revista për fëmijë të Walt Disney, për të cilin krijoi serinë vizatimore W.I.T.C.H., dhe është autore e serisë shumë të suksesshme Fairy Oak. Me serinë Olga prej letre, Gnone e fut lexuesin në një botë të re, tejet delikate në të cilën, me hijeshi dhe ironi, trajton tema që lidhen me brishtësitë dhe papërsosuritë e qenies njerëzore.

Rreth përkthyesit

Albana Nexhipi lindi më 1978. Në vitin 2001 përfundoi studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe letërsi dhe më 2004 studimet Master për Letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Gjatë vitit 2004 kreu specializimin pasuniversitar në lëmë të Letërsisë së krahasuar në Università per Stranieri, Peruxha, Itali. Në vitet 2004-2014 - gazetare, redaktore përgjegjëse, autore dokumentaresh dhe reportazhesh; nga viti 2009 - pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Njohëse shumë e mirë e italishtes, Albana Nexhipi është përkthyese e disa librave: Nina dhe misteri i notës Oktavë, Nina dhe Syri Sekret i Atlantidës, Nina dhe Numri i Artë, Nina dhe fuqia e Absinthiumit nga Moony Witcher; Mikesha gjeniale: fëmijëria, adoleshenca nga Elena Ferrante; Dje, sot, nesër nga Sophia Loren; Pas bukurisë: si mund ta përmirësojmë imazhin pa e tradhtuar veten nga Willy Pasini dhe Maria Teresa Baldini; Erosi dhe qytetërimi nga Herbert Marcuse; Homo videns: televizioni dhe postmendimi nga Giovanni Sartori; Seria Fairy Oak: Sekreti i Binjakeve, Magjia e Territ, Fuqia e Dritës nga Elisabetta Gnone; Olga prej letre, Olga prej letre: Xhumi i zi nga Elisabetta Gnone; Dhoma e Fluturave nga Lucinda Riley; Një histori shkodrane: flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914), Shpnesa e Shcypeniis (Shqiptarë të Trieshtit) dhe Jo vetëm “Hymni i Flamurit”: disa kuriozitete mbi himnet e tjera kombëtare shqiptare në ag’ të Pavarësisë nga Paolo Muner.