Përmasa e katërt

Janis Ricos
Përktheu: Romeo Çollaku
216 faqe
Çmimi: 1000 lekë

Poemat e përmbledhjes Përmasa e katërt, Janis Ricos i shkroi nga viti 1956 deri në vitin 1975, një hark kohor ky që përmendet si periudha më e begatë e krijimtarisë së tij. Të gjitha poemat zhvillohen në trajtë monologu teatral, me karakter narrativ, në varg të lirë dhe me fjalor të thjeshtë e, ndonjëherë, antilirik. Atyre u paraprin një hyrje si udhëzim skenik dhe mbyllen me një epilog, gjithashtu në prozë. Nëpërmjet personazhesh legjendare, të nxjerra nga cikli i atridëve apo ai i Luftës së Trojës, Janis Ricos flet për vetminë, për dashurinë e humbur, për plakjen e trupit, për përplasjet që ndodhin brenda ndërgjegjes së individit si autor veprash sociale, për kujtesën vetjake dhe për atë historike. Rrëfyesi i secilës poemë i drejtohet një personazhi tjetër, memec, i cili është vazhdimisht i pranishëm në skenë, dëgjon, por nuk përgjigjet. Përmasa e katërt, që i jep titullin librit, është, sipas vetë poetit, koha, jo thjesht koha biologjike që rrënon, shkatërron dhe e shpie njeriun drejt vdekjes, por kryesisht koha historike, e cila e shkundullon protagonistin dhe e detyron të luftojë me të shkuarën dhe të ardhmen, në mënyrë që, duke shqyrtuar veprat e veta, të shpjegojë shkaqet që i shtyjnë drejt rrënimit shpirtëror.

Category:

Rreth autorit

Janis Ricos

Janis Ricos

Janis Ricos (1 maj 1909, Monemvasia, Peloponez - 11 nëntor 1990, Athinë) konsiderohet një nga poetët më të mëdhenj grekë të shekullit XX. U propozua nëntë herë për Çmimin Nobel për letërsinë, por pa sukses, sigurisht edhe për shkak të bindjeve shumë të majta. Pati një jetë të vështirë, që nga rinia e më tej, me shumë punë e përpjekje. Gjatë Luftës Civile (mesi i viteve ‘40), Ricosi u angazhua në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushtoi katër vjet internim nëpër ishuj. Nga ferri i këtyre kampeve shpëtoi përkohësisht, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve, si Eluar, Aragon, Neruda, Picasso etj. Më 1956, botoi veprën e madhe të pjekurisë së tij Sonatë në dritën e hënës, që e bëri fitues të Çmimit Kombëtar të Poezisë. Në fund të viteve ‘60, junta ushtarake në pushtet e internoi përsëri poetin në ishuj, çka nuk e pengoi ta pasuronte më tej veprën.
Nga viti 1970, poezia e Ricosit mori formën e sintezave të gjata, ku ëndrra dhe surrealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, me praninë e personazheve të çuditshme dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë e hapësirë. Vëllimi Erotika përbën një himn shndritës për dashurinë. Vitet ‘80 e kthyen Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik, ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat.
Janis Ricos është autor i 150 vëllimeve me poezi dhe shumë vëllimeve në prozë, por ka edhe mjaft vepra të pabotuara apo të humbura.

Rreth përkthyesit

Romeo Çollaku lindi më 1973 në Sarandë dhe studioi gjuhë shqipe dhe letërsi pranë universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Ka botuar përmbledhjet poetike “Zemër virgjine” (1993), “Gjithë diell e natë” (2003), “Kumbaraja e kohës” (2004), “Heshtjen duke gërmuar” (2011), “Vise kundërmime” (2013), përmbledhjet me tregime “Për shtegtarët e pak metrave katrorë” (2009) dhe “Mikrobus” (2019), si dhe romanet “Varrezat e vendlindjes” (2002) dhe “Mjaltë në teh” (2016). Ka përkthyer në shqip poezi të zgjedhura nga Ricos, Verlaine, Mallarmé, Elitis, Claudel, Lautréamont, Herbert, Kavafis, Seferis, Karjotaqis, Jaccottet. Po ashtu një antologji të tregimit grek, një përmbledhje me ese të zgjedhura të poetit Jorgos Seferis, veprën e plotë të tregimtarit Bruno Schulz dhe tragjedinë “Trojanet” të Euripidit. Ndër përkthimet në prozë përmendim: romanet “Aurelia” nga Gérard de Nerval, “Papesha Joanë” nga Emanuel Roidis, “Vrasësja” nga Aleksandros Papadiamantis, “Këputja lulëzon” nga Vasilis Gurojanis, “Koloneli Liapkin” nga M. Karagacis, “Tundimi i fundit” nga Nikos Kazanxaqis, “Dëshmitar kam Zotin” nga Makis Citas, “Melankolia e qëndresës” nga László Krasznahorkai etj. Është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010, 2020) dhe të përkthimit (2007, 2015). Romani i tij “Mjaltë në teh” është botuar edhe në italisht. Pjesë nga krijimtaria e Çollakut janë botuar gjithashtu nëpër antologji dhe revista letrare në anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht.