Konkursi i esesë me temë “Toka është shtëpia jonë, një planet kompleks që mbështet
dhe mbron jetën” nxiti imagjinatën, ndjeshmërinë dhe ndërgjegjësimin mjedisor të
nxënësve të tri klasave të gjashta të shkollës 9-vjeçare “E kuqe”. Të
frymëzuar nga libri “Njeriu që mbillte pemë” i Jean Giono, përkthyer nga Saverina
Pasho, pjesë e Projektit Europian “Histori që frymëzojnë dhe lënë shenjë”, nxënësit
përcollën përmes eseve mesazhe të fuqishme për dashurinë ndaj natyrës, përgjegjësinë
individuale dhe fuqinë e veprimeve të vogla që sjellin ndryshime të mëdha.
Ashtu si personazhi i Gionos, që me përkushtim e durim kthen një tokë të shkretë në
një hapësirë të gjallë e të gjelbër, edhe fëmijët reflektuan për rolin e secilit prej nesh
në mbrojtjen e planetit. Në shkrimet e tyre u ndje zëri i një brezi që kupton se Toka
nuk është thjesht vendbanim, por një sistem i ndërlikuar dhe i brishtë, që kërkon
kujdes, respekt dhe veprim të vazhdueshëm.
Në këtë veprimtari morën pjesë rreth 50 nxënës nën kujdesin dhe drejtimin e
mësueseve Valbona Ramolli, Miranda Lleshi, Brikena Çera, Aurora Nikaj dhe
Gentjana Suejmani, të cilat i inkurajuan ata të shprehin lirshëm mendimet përmes të
shkruarit.
Pas vlerësimit, sot në ambientet e shkollës u ndanë edhe çmimet për krijimet më të
mira, duke shpallur fitues pesë nxënës, të cilët spikatën për thellësinë e mendimit,
qartësinë e mesazhit dhe ndjeshmërinë artistike:
- Çmimi i parë: Anja Ismaili, kl.VI C
- Çmimi i dytë: Kaltra Lila, kl. VI B
- Çmimi i tretë: Rian Shaqiri, kl. VI B
- Çmim motivues: Onid Novaku, kl. VI B, dhe Klint Dyrmjaja kl.VI C
Ky konkurs nuk ishte vetëm një garë letrare, por një ftesë për reflektim dhe një hap i
vogël drejt formimit të qytetarëve të ndërgjegjshëm që e duan dhe e mbrojnë shtëpinë
tonë të përbashkët – Tokën.
U lumtë nxënësve por edhe mësuesve të Shkollës së Kuqe, gjithmonë të gatshëm per
t’i nxitur fëmijët të lexojnë.
#konkursesesh #saverinapasho #jeangiono #leximeterekomanduara #CreativeEurope









