
Sot u përmbyll me sukses konkursi i eseve i zhvilluar mes nxënësve të klasave V të shkollës “Jusuf Puka” në Durrës.
Konkursi, i organizuar me përkushtim nga mësuese Genta, me synimin për të nxitur te fëmijët dashurinë për leximin, reflektimin dhe shprehjen krijuese përmes shkrimit, pati dy tema domethënëse: “Toka është shtëpia jonë, një planet kompleks që mbështet dhe mbron jetën”, frymëzuar nga libri “Njeriu që mbillte pemë” i J. Giono, si dhe “Një vajzë mund të arrijë gjithçka që dëshiron”, frymëzuar nga libri “Vera e zhytjeve” i S. Stridsberg.
Përmes eseve të tyre, nxënësit sollën mendime të ndiera për kujdesin ndaj natyrës, përgjegjësinë ndaj planetit dhe besimin në fuqinë e ëndrrave dhe të barazisë.
Ndër dhjetëra esetë, ato më të spikatura dëshmuan imagjinatën, ndjeshmërinë dhe përkushtimin e nxënësve ndaj temave të trajtuara.
Në përfundim të konkursit, u shpallën shtatë fitues, duke vlerësuar origjinalitetin, qartësinë e mendimit dhe mesazhin që përcillnin shkrimet e tyre.
Ky aktivitet ishte një moment i bukur bashkëpunimi dhe frymëzimi për nxënësit, duke i inkurajuar ata të lexojnë më shumë, të reflektojnë dhe të shprehin idetë e tyre me guxim. Konkursi dëshmoi edhe një herë se sa shumë potencial krijues dhe ndjeshmëri mbartin fëmijët kur u jepet hapësira për të folur për botën që i rrethon dhe për ëndrrat që duan të realizojnë. 
















