Në kuadër të aktiviteteve për nxitjen e leximit dhe afrimin e fëmijëve me letërsinë, u zhvillua një takim me nxënësit e klasës së tretë të shkollës 9-vjeçare “Muhamer dhe Esat Minarolli” në Pogradec, në ambientet e librarisë “Pogradeci”, ku u prezantuan librat Njeriu që mbillte pemë, Jean Giono; Vera e zhytjeve, Sara Stridsberg; Djali që e sheh botën me gishta, Tomas Malkowski.
Takimi u konceptua si një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë me fëmijët. Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua mesazheve që përcjellin këta libra: dashuria për natyrën, përgjegjësia ndaj mjedisit, fuqia e veprimeve të vogla, si edhe pranimi i ndryshimit dhe fuqia e miqësisë.
Në përfundim, aktiviteti përcolli disa mesazhe të thjeshta dhe të fuqishme: ndryshimi mund të nisë nga një veprim i vogël; guxo të zbulosh botën; të gjithë e shohim botën ndryshe.
Takimi shërbeu kështu jo vetëm si një prezantim libri, por edhe si një përvojë edukative që ndërthuri leximin, mjedisin, imagjinatën dhe përgjegjësinë qytetare, duke nxitur te nxënësit dashurinë për librin; respektin për natyrën; vlerat e miqësisë dhe pranimin e ndryshimit.







