Blog

Të njihemi me autoren dhe përkthyesin e librit për fëmijë Çadra e purpurt. Kush është Alki Zei? Kush është Kleo Lati?

ALKI-ZEIKleo Lati përkthyesiAlki Zei është shkrimtarja më e madhe greke për fëmijë.
Ajo lindi në Athinë më 1925. Babai ishte nga Kreta, kurse nëna nga Samoja, ku kaloi fëmijërinë. Studioi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Athinës, në Fakultetin e Dramës të Konservatorit të Athinës dhe në Institutin e Kinematografisë në Moskë. Në vitet 1954-1964 jetoi si azilante politike në Bashkimin Sovjetik. Më 1964 u kthye në Greqi, por më 1967 u vendos në Francë me ardhjen në pushtet të Juntës ushtarake, për t’u kthyer vetëm pas rënies së regjimit diktatorial.
Është marrë me letërsi që e vogël, duke shkruar tekste për teatrin e kukullave. Romani i parë është Tigri i vitrinës (1963) që e merr frymëzimin nga fëmijëria në Samo. Në vitet ‘70 boton disa romane për fëmijë: Lufta e Petros; Ungj Platoja; Këpucët e Hanibalit, etj. Më 1987 u botua libri i parë për të rritur, E fejuara e Akilit. Më 1992 Gjyshi gënjeshtar dhe më 2002 Kostandina. Më 2013 boton romanin autobiografik Me laps fabër numër dy. Librat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë. Më 2010 u nderua me medaljen e Akademisë së Athinës. Më 2012 u shpall Doktor nderi në Universitetin e Qipros. Më 2014 Doktor nderi i Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ndërsa më 2015 mori të njëjtin nderim nga Universiteti i Patrës. Në janar 2015 shteti francez e nderoi me Kryqin e Artë të Legjionit të Nderit, ndërsa në shtator 2015 me titullin Komandant i Urdhrit të Arteve dhe të Letrave.

Disa fjale per perkthyesin e talentuar te letersise greke, Kleo Lati, me te cilin DITURIA tashme bashkepunon prej kohesh.
Kleo Lati ka lindur më 1952, në Dhërmi. Kreu shkollën e mesme në Vlorë. Studimet e larta në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, më 1975. Më 1975-1996 punoi si gazetar në gazetat më të rëndësishme dhe në Institutin e Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Më 1991-1996 korrespondent në Tiranë i gazetës së përditshme greke “Eleftheros Typos” dhe më 1996-2005 korrespondent i Agjencisë Greke të Lajmeve “Macedonia Press”. Më 1999-2008 përkthyes në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë. Nga viti 2011 përkthyes zyrtar për gjuhën greke në Ministrinë e Drejtësisë.
Ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe disa romane, si: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, “Trupi im më përket mua”, si dhe drama, vëllime me tregime, libra për fëmijë etj.
Ka përkthyer në shqip shumë vepra të shquara të letërsisë greke. Përmendim:
– Vëllim me tregime nga autorë të njohur grekë (A. Samarakis, V. Vassilikos, M. Kumandareas etj) 2003.
– “Në emër të dashurisë”, roman, A. Samarakis, 2005.
– “Fëmijët nuk duan psikolog. Duan prindër”, Nikos Sideris, 2010.
– “Një dashuri dy jetë”, roman, Melina Tuda, 2011.
– “Për cilën dashuri më flet”, roman, Thekla Kristaqi, 2011.
– “Dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie”, roman, Mitsi Valaka, 2012.
– “Agrixhento”, roman, Kosta Haxhiantoniu, 2013 (fitues i Çmimit Europian 2011).
– “Sprova e kohës së humbur”, roman, Kani Karava, 2013.
– “Fijet”, roman, Katina Vlahu, 2014.
– “Një album historish”, roman, Andonis Georgiou, 2015.
– “Z, orgjia e pushtetit”, roman, Vasilis Vasilikos, 2016.
– “Korbi”, roman, Panos Ioannides, 2016.