Teksa e sheh, të bën përshtypje pamja e saj prej njeriu të zhytur në mendime dhe e ndien se autorja fsheh një histori, madje më shumë se një. Pyet veten, kjo shkrimtare e madhe, Alki Zei, ka pasur fëmijëri të bukur? Po, tepër të bukur e të lumtur e ka pasur fëmijërinë në Samo me motrën dhe me gjyshërit, aq sa nuk druhet ta tregojë dhe ta përfshijë në të gjithë librat e saj.
Edhe pse shkruan më së shumti për fëmijë, një pjesë të mirë të krijimtarisë ua ka kushtuar adoleshentëve. Shkruan po iu dridhur dora për problemet e sotme që shqetësojnë fëmijët, gjendje për të cilën ajo thotë se ndihet kudo, jo vetëm në Greqi. Historitë e saj janë plot e përplot me optimizëm dhe mirësi, pa harruar edhe humorin. Ajo ka qenë e para shkrimtare që ngjarjet e librave të vet i vendosi në sfondin shoqëror të kohës, gjë që shmangej deri vonë në letërsinë për të rinj. Megjithatë, ajo nuk bën moral e as dënon personazhe, edhe kur shkruan për drogën, divorcin dhe problemet e identitetit e vështirësitë që hasin të rinjtë. Përkundrazi, Alki Zei përcjell dhembshuri dhe mirëkuptim. Ajo lëviz me lehtësi nëpër botën e ngatërruar të adoleshentëve.
E tillë, e koklavitur dhe e pështjelluar, si një rrjetë merimange, është jeta e trembëdhjetëvjeçares Tina, e kështu ka qenë që kur lindi. Tani, më e rritur, së bashku me familjen është vendosur në Këln, në një qytet që e do shumë, por papritmas gjithçka ndryshon dhe vajzës s’i mbetet më asgjë. Nëna dhe babai po ndahen, kanë vendosur të lidhen me njerëz të tjerë, madje e ëma po pret një fëmijë, dhe ajo duhet të kthehet në Greqi të jetojë me gjyshen e çuditshme që i tregon nga ato historitë e veta që nga koha e pushtimit gjerman. Sa e bezdisshme, mendon ajo, fillimisht…
Protagonistja e romanit të sapobotuar edhe në shqip, Kostandina, a Tina, siç e thërrasin me përkëdheli, është një adoleshente, dhe si e tillë ka ëndrrat, zhgënjimet dhe pasiguritë e çdo të riu në atë moshë.
Përshkrimi i mrekullueshëm i Alki Zeit do të bëjë që zemra t’ju rrahë fort e të ndiheni pakëz keq për këtë vogëlushe të vetmuar, që e ka marrë malli për prindërit, dhomën e ngrohtë dhe shoqet e klasës, të cilat i ka lënë pas në Gjermani. Ky është çasti kur Kostandina takon një shok të ri, me të cilin ka shumë të përbashkëta, dhe zbulon drogën, si një rrugëdalje, por që nuk e çon askund. Ato kokrrat e kaltra nuk bëkan mrekulli, pra!
Në fund gjithçka zgjidhet mirë me ndihmën mësuesit të saj të shkollës dhe së dashurës së tij, që dinë ta drejtojnë dhe ta shpëtojnë në kohë. Kjo mund të duket një histori e trishtueshme, por do të reflektoi shumë dhe mbi të gjitha do të qeshni me lot me situatat që tri personazhet, mikeshat e gjyshes së saj, që Tina i quan me një emër, Aspasi, ngatërrojnë. Kanë mjaft për të treguar tri gratë, se kanë jetuar ca kohë të vështira në burg, gjatë pushtimit gjerman.