Kush e ka shkruar librin “Dëgjoje zemrën time”?
“Për njëzet vjet, pasi botova librin tim të parë, nuk hodha në letër asnjë radhë, që të frymëzohej drejtpërdrejt nga jeta a kujtimet e mia. Kur kritikët letrarë i ktheheshin letërsisë për fëmijë, ishin shumë të rreptë për librat autobiografikë. Jeta ka ndryshuar kaq shumë, ngulnin këmbë ata, e lexuesit e vegjël modernë janë ndryshe, nuk u bëhet vonë fare për fëmijërinë e shkrimtarëve. Mirëpo sa herë takoja lexuesit e mi të vegjël, më mbulonin me pyetje: “Si ishte jeta kur t’i shkoje në shkollë? Çfarë bëje kur ishe e vogël?” Dhe kur filloja e rrëfeja për mësuesen time të tmerrshme ose për rrengjet që sajoja me shoqet, në vend që të mërziteshin dhe të shfrynin: “Uffa, ç’gjëra të vjetra po na thua!”, këmbëngulnin: “Prapë, të lutem na trego prapë.”
… Mund të shtoja edhe shumë gjëra të tjera për këtë libër, por nuk është vendi dhe, për më tepër, nuk dua t’ju mërzis. Por një gjë lipset thënë: UNË NUK JAM PRISKA PUNTONI. E vogël isha shumë e ndrojtur dhe nuk e kisha fjalën në majë të gjuhës, si Priska. Dija të shkruaja tregime si Priska dhe të vizatoja bukur si Rozalba, gjyshja dhe xhaxhallarët e mi u shëmbëllenin atyre të Elizës, por nuk isha jetime. Personazhet e këtij libri janë ndërtuar me “copa” të ndryshme të shumë personazheve të vërteta, prandaj është e kotë të kërkosh kush ishte Sveva dhe kush Ester Panaro. Edhe kur shkruan libra me kujtime, shkrimtari e ndryshon dhe e pasuron realitetin.”
Bianca Pitzorno.