PROJEKTI DIFFERENT VOICES 2017-2018: “Libra të rinj, prezantime, aktivitete, lexime të ndryshme, por gjithmonë interesante”.
Miqësia, solidariteti dhe mundësia për të ndihmuar tjetrin si një pasuri njerëzore janë temat e librit “A di të fërshëllesh, Johana?”, shkruar nga Ulf Stark dhe përkthyer nga Sokol Demaku. Në datën 16 nëntor, përkthyesi Sokol Demaku ishte në shkollën nëntëvjeçare “Vëllazërimi” Babrru-Fushë, Paskuqan Kamëz, për ta prezantuar këtë libër. Nxënësit e kishin lexuar librin dhe kishin shume pyetje, jo vetëm për të, por edhe për letërsinë suedeze, vështirësinë e gjuhës suedeze dhe sidomos pse përkthyesi kishte zgjedhur këtë titull për ta sjellë në shqip.
Sokol Demaku, që kishte udhëtuar enkas nga Suedia për takimet e promovimit me shkollat, por edhe ne Panairin e librit, u foli atyre për nxënësit bashkëmoshatarë suedeze dhe shqiptare që jetojnë dhe shkollohen aty, për letërsinë që lexojnë dhe pëlqejnë ata, se sa shume e vlerësojnë librin.
“A di të fërshëllesh, Johana?” është historia e veçantë e djaloshit Berra, i cili nuk ka gjysh dhe krejt papritur vendos të shkojë një ditë në shtëpinë e të moshuarve, së bashku me shokun e pandarë, Ulfin. Aty takon Nilsin, gjyshin ideal, dhe që të tre bëhen miq të ngushtë.
Me ilustrime të jashtëzakonshme nga Anna höglund, “A di të fërshëllesh, Johana?” është një libër interesant e prekës, klasik në shumë vende, një dëshmi e lidhjes mes brezit të ri dhe brezit të vjetër.