Pas suksesit në Panairin e Librit “Tirana 2017” dhe orëve të leximt dhe prezantimeve të mbajtura gjatë ditëve të Panairit, në stendën e Shtëpisë Botuese DITURIA, përkthyesja Venera Domi ka qenë në Laprakë në shkollën “28 Nëntori” .
E hënë, 20 nëntor 2017. Që në orën 9:30 jemi në shkollën nëntëvjeçare “28 Nëntori” në Laprakë.
Venera Domi, përkthyese e librit “Princesha Histaminë”, së bashku me Mariana Ymerin, nga Dituria, prezantojnë para nxënësve të kësaj shkolle librin e akademikut Erik Orsenna. Përmes formulës së thjeshte, por magjike, të bashkëbisedimit, fëmijët fluturojnë me mendje dhe fjalë në aventurat e “rebeles” Histaminë, që ka alergji nga padrejtësitë.
Jemi të kënaqur që më shume sesa ne, janë nxënësit që flasin, bëjnë pyetje, diskutojnë për librin që kanë lexuar më parë.
Ndihemi krenarë që mesazhi i librit është “përpirë” nga nxënësit dhe ata janë aq të interesuar të dinë më shume për librat, për mënyrën si i përzgjedhim titujt, se si funksionon Shtëpia Botuese DITURIA dhe ku mund t’i dërgojnë ata krijimet e tyre. Dhe pastaj vjen breshëria e pyetjeve për përkthyesen. Të habit thellësia e pyetjeve, por edhe përgatitja e nxënësve: ata duan të lexojnë sa më shumë dhe këtë e pohon edhe mësuesja e tyre e letërsisë, Klodiana, që duhet falënderuar posaçërisht për përkushtimin e vet.
Nxënësit duan që Venera Domi, përkthyesja, t’u bëjë nga një autograf në librin e tyre. Në fund të fundit (dhe drejt e kanë) ajo ua ka përcjellë në shqip këtë zë kaq të fuqishëm të letërsisë franceze!
Videoja e aktivitetit