“Libra të rinj, prezantime, aktivitete, lexime të ndryshme, por gjithmonë interesante”
Merr 50 lexues, përkthyes dhe njerëz të librit në një bibliotekë me ngjyra të bukura dhe rrethuar me libra, dhe zhyti në lexime emocionale… Kjo ndodhi në prezantimin e librit “Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm”, nga shkrimtarja e njohur italiane Elisabetta Gnone – pjesë e projektit Different Voices të Bashkimit Europian, bashkë me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Gashi” në Laprakë, që kishin një rol të veçantë.
Leximi është një përvojë unike. Pjesë nga libri “Olga prej letre” u lexuan prej nxënësve të kësaj shkolle. Ese dhe tregime ishin shkruar në frymën e librit të botuar nga Dituria, inskenime pjesësh të veçanta: lexuesit tanë të vegjël, mjaft entuziastë, e konsideronin leximin jo vetëm si një mënyrë studimi, por si një moment argëtimi.
Një diskutim mjaft interesant mes nxënësve, mësuesve, përkthyeses së talentuar Albana Nexhipi, redaktores së librit Jeta Hamzallari, nga DITURIA, rreth vlerave dhe mesazheve të forta që përcjell ky libër i papërsëritshëm, i cili nuk njeh as moshë e as kohë; lexime esesh, pjesë teatrore, pyetje plot kureshtje, nën kujdesin dhe përkushtimin e mësuesve të gjuhës dhe leximit Antoneta Brahimaj, Liljana Koromani, Didona Lala, Klodjana Josifi.