Dituria në prezantimin e dy librave të rinj në Shkodër
“Dëgjoje zemrën time”, nga Bianca Pitzorno, përkthyer nga Erion Kristo dhe
“Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm”, nga Elisabeta Gnone, përkthyer nga Albana Nexhipi.
Shkolla nëntëvjeçare “Branko Kadia” është në zemër të Shkodrës, por më shumë se kaq, ajo është e njohur për një traditë të hershme në mirëdukimin e nxënësve.
Ditën e hë, datë 5 mars 2018, ishim aty, të mirëpritur nga drejtorja e shkollës, znj. Surila Mesi Mlloja, nga mësuesja e gjuhës shqipe dhe zv.drejtore e AMU, znj. Gjulita Serreqi dhe mësueset Suada Vokshi, Brunilda Gjeka, Alma Boshnjaku etj. Por besojmë se me më tepër kënaqësi na pritën nxënësit e kësaj shkolle, që me shumë vëmendje dëgjuan dhe diskutuan jo vetëm për dy librat, por edhe për dëshirat dhe mundësitë e tyre për të lexuar.
Jeta Hamzallari, redaktore në Shtëpinë Botuese Dituria bëri një prezantim të titujve të botuar së fundmi nga Dituria, në kuadrin e projektit europian #Differentvoices, duke u ndalur te libri “Dëgjoje zemrën time”, nga Bianca Pitzorno, përkthyer nga Erion Kristo. Këta libra të përzgjedhur kanë pasur një sukses të madh sidomos nëpër shkolla dhe mësuesit i kanë këshilluar për lexime dhe diskutime në klasë. Albana Nexhipi, përkthyese e njohur tashmë, por edhe përkthyese e librit “Olga prej letre”, e paraqiti “Olgën”, duke ngjallur interes te fëmijët, të cilët pyetën dhe shuan kureshtjen edhe për tituj të tjerë të botuar nga Dituria.
“Ka një çast të caktuar për të gjitha gjërat”, tha ajo, “Ky është çasti i librit Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm. Me një rrëfim të ngrohtë, mbresëlënës, jo vetëm për mënyrën si është ngjizur, por edhe për galerinë e veçantë të personazheve që sjell, jua këshilloj të gjithëve ju, fëmijë dhe të rritur! Olga, një vogëlushe 11 vjeçe, mbetur jetime qysh e vogël, teksa përpiqet t’i ikë dhimbjes, sjell për këdo një udhëtim të jashtëzakonshëm imagjinar, e bashkë me të edhe mesazhin që fëmijët janë unikë në llojin e tyre, e duhen dashur siç janë, pa u përpjekur t’i ndryshosh.
#unelexoj #Mediturine #CreativeEurope #DifferentVoices 🎁 📚 ❤️ 💚 💜