Në kuadër të festivalit për fëmijë e të rinj ” Lexuesit e së ardhmes”, të organizuar nga Shtëpia Botuese DITURIA si pjesë e projektit të Bashkëpunimit Europian #ReadersoftheFuture, ditën e shtunë, më datë 17 mars 2018, ora 11:00 u organizua workshopi me përkthyes të letërsisë për fëmijëve: “Letërsia për fëmijë në përkthim: Sfidat dhe strategjitë”.
Falë përkthyesve, fëmijët shqiptarë mund të kalojnë edhe midis pasqyrave magjike në botën magjepsëse të përrallave të Andersenit apo të ndjekin aventurat e Princit të Vogël, të Harry Potterit, të Gregut, dhe shumë heronjve të tjerë të dashur për ta.
Është e zakonshme që përkthyesi të përshkruhet si një ndërmjetës, që lehtëson dialogun ndërmjet tekstit “burimor” dhe audiencës së synuar. Përkthyesi ndërmjetëson, vërtet, por ai është njëkohësisht edhe interpretues, madje edhe krijues. “Tre në një” shkruan një shkrimtar dhe përkthyes i njohur. Përkthimi i letërsisë për fëmijë kërkon aftësi të veçanta përkthimi që marrin parasysh llojin e gjuhës, gërshetimin e tekstit me imazhet dhe referencat kulturore dhe intertekstuale në raport me aftësitë njohëse dhe pjekurinë emocionale të lexuesit. Sot në Shqipëri përkthehet shumë letërsi e mirë. Po si përkthehet? Çfarë bën përkthyesi “për të kapur” siç duhet zërin e shkrimtarit nga një gjuhë tjetër? Ç’do të thotë të përkthesh për adoleshentë në një botë digjitale? Çfarë lexojnë fëmijët sot? Si e shohin botën përmes librave? Të promovojmë librin dhe përkthimin e mirë, të diskutojmë për vështirësitë dhe të vendosim disa standarde, ky është qëllimi i këtij workshopi.
Në panel: Edmond Tupja, Dhurata Shehri, Agim Doksani, Anxhela Cikopano, Diego Guida, Erion Kristo, Albana Nexhipi, Klara Kodra, Giuseppe Errico, Flavia Kaba, Lindita Kadriu, Salajdin Salihu.
Moderatore Mariana Ymeri