Ulf Starku (1944-2017) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë për fëmijë dhe një nga autorët më të dashur për publikun e ri. Romanet e tij spikatin për ndjeshmëri të thellë dhe humor të hollë, madje me këtë të fundit autori përpiqet të çdramatizojë telashet e vogla të jetës së një fëmije. Është autor i tridhjetë librave për fëmijë e të rinj, që janë përkthyer në njëzet e pesë gjuhë dhe kanë fituar çmime të shumta, ndër të cilat çmimin Astrid Lindgren më 1993 dhe çmimin prestigjioz Deutsche Jugendliteraturpreis më 1994.
Historitë e Ulf Starkut kanë qenë muzë frymëzimi për shumë filma televizivë apo kinematografikë; ndodhitë e veçanta dhe shumë interesante kanë rrëmbyer njëherë e përgjithmonë zemrat e miliona lexuesve të vegjël anembanë globit. Por për ta njohur më mirë Ulf Starkun, si njeri dhe si shkrimtar, ndiqni intervistën:
A keni qenë lexues i pasionuar në fëmijëri? Çfarë librash ju pëlqenin në veçanti asokohe?
Nuk mund të them se kam qenë një lexues i pasionuar kur isha fëmijë. Kam qenë gjumash i madh.
Kontakti im i parë me letërsinë erdhi përmes zërit të nënës sime. Ajo ulej në një karrige, mes shtratit tim e të tim vëllai, dhe lexonte për ne, çdo natë, pa u lodhur. Na lexonte Pipi Çorapegjatën, histori me arushin Winnie Pooh, ndodhi me qen të varfër dhe tregime për Babar elefantushin. Historitë e mia të preferuara ishin ato të disa shkrimtarëve suedezë, me ilustrime, librat për Tarzanin dhe, më shumë nga të gjitha, më pëlqente The Wind of Moon e Linklaterit (që vazhdon të më pëlqejë edhe sot).
Pra, që në fëmijëri keni dëgjuar shumë histori, por a e keni ditur qysh atëherë se donit të bëheshit shkrimtar?
Nuk e kam menduar kurrë. Isha mëngjarash, kur hyra në klasën e parë, por u detyrova të vija në punë dorën e djathtë. Kështu që, e urreja të shkruarit. Dhe e dija fare mirë se një shkrimtar duhej të shkruante. Pra, nuk e kisha shkuar nëpër mend, asnjëherë!
Doja të isha një dëgjues historish. Ose ndoshta një veteriner, sepse gjithmonë i kam dashur kafshët – sidomos qentë e mjerë (një tjetër libër që më pëlqente shumë ishte Doctor Doolittle). Interesi im për të shkruar filloi më shumë si pasojë e “depresionit” që kalon zakonisht një adoleshent (Kush jam?, Përse ekzistoj?, Si mund të më dojë dikush?). Të shkruarit ishte për mua një mënyrë për t’ia mbathur, nga vetja. Dhe, në të njëjtën kohë, një mënyrë për të qenë vetvetja.
Çfarë mund të na thoni për ilustrimin? Përveçse shkrimtar, ju jeni edhe ilustrues i disa librave. A është diçka që e keni dëshiruar që herët? Çfarë mendoni sot për ilustrimin, është një proces i ndryshëm apo i ngjashëm me të shkruarit?
Ilustrimi, vizatimi, ishte argëtim i madh gjatë viteve të mia shkollore. Vizatoja karikaturat e mësuesve të mi. Vizatoja kafshë, bastunë, aeroplanë… Madje, përpiqesha t’u tërhiqja vëmendjen shokëve të mi duke vizatuar gra lakuriq, ashtu siç përfytyroja se mund të ishin.
Duke pasur parasysh faktin se librat tuaj trajtojnë tema që nuk hasen shpesh në libra për fëmijë (vdekja, seksi), a mendoni se të shkruash për fëmijët nuk është njëlloj si të shkruash për të rriturit (ju jeni autor edhe i librave për fëmijë edhe i librave për të rritur)?
Nuk janë aq temat ato që e bëjnë të ndryshëm të shkruarit për fëmijë nga të shkruarit për të rriturit, sesa perspektiva. Ajo është e ndryshme. Unë e përdor gjuhën si një mjet për t’iu qasur përvojave të mia fëmijërore – ndjenjave të mia thuajse të harruara, mënyrës se si e shihja botën. Vetëm kur kthej kokën pas, e kuptoj se sa shumë mendoja për vdekjen dhe seksin, mes mijëra gjërave të tjera. Kur shkruaj për fëmijë ndiej një kënaqësi të veçantë, një gëzim të madh. Ndoshta sepse unë mund të shkruaj për gjëra shumë serioze pa qenë shumë kërkues.
Miqësia, identiteti, marrëdhëniet njerëzore, plakja, vdekja… – këto janë disa nga temat kryesore që spikatin në librat tuaj, por a ka tema të tjera të cilat ju pëlqejnë t’i eksploroni?
Unë kam shkruar shumë vepra gjysmautobiografike, por kam shkruar edhe libra mitologjikë, me temë fetare (siç është Asmodeus)… Para pak kohësh kam botuar edhe një libër rreth një diktatori të vogël dhe etjen e tij për pushtet (me titull Diktatori).
Duket qartë se në librat tuaj ka mjaft detaje autobiografike. Ç’pjesë zë Ulfi në librat A mund të fërshëllesh, Johana? dhe Shoku im Persi…? Çfarë kënaqësie ndjeni ju si shkrimtar duke përfshirë histori dhe hollësi personale në librat tuaj?
Ulfi, personazhi në libra, është pa dyshim unë. Ai ndan shumë ndjenja dhe përvoja të hershme, ne kemi të dy një vëlla dhe jemi rritur në të njëjtën shtëpi, me një furrë dhe një shtëpi të moshuarish pranë. Por sigurisht, detajet autobiografike nuk janë interesante për lexuesit sepse janë të vërteta, por sepse thjesht janë interesante.
Dhe së fundi, dy fjalë për “A di të fërshëllesh, Johana?”, që pa diskutim është një libër klasik në shumë vende.
“A di të fërshëllesh, Johana?” është një histori shumë e veçantë, që nuk jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh. Zakonisht ndodh të birësohen fëmijë nga prindër, por nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që një fëmijë të birësojë… të birësojë një gjysh. Pikërisht këtë bën Bertili (Berra), djaloshi i vogël në libër: së bashku me shokun e tij Ulf, shkon në një shtëpi të moshuarish, që ndodhet pranë shtëpisë së tij, për të gjetur një gjysh, sepse nuk ka. Mes tyre lind një miqësi e sinqertë, një lidhje e ngushtë, gati-gati familjare, një lidhje siç është në të vërtetë ajo mes një gjyshi dhe një nipi. Rrëfimi në këtë libër është sa prekës, aq edhe motivues. Një raport i shkëlqyer brezash, një ndodhi plot aventura e humor, e mbushur me ndjenja njerëzore.
Me bindje mund të them se “A di të fërshëllesh, Johana?” është një nga librat e mi më të mirë dhe më të ndjerë.