Maklena Nika lindi në vitin 1980 në Fier. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta për Gjuhë e Letërsi Greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Vazhdoi studimet bachelor për Menaxhim Biznesi në Universitetin e Caen-it, Francë, studimet pasuniversitare për master në diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare, dhe më pas për master në letërsinë greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në janar 2009 fitoi një bursë studimore nga Universiteti Aristotel në Selanik për kërkime doktorale. Në vitin 2013 mori titullin Doktor i shkencave në letërsinë greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës dhe që prej dhjetorit 2015 ka titullin Profesor i Asociuar.
Nga viti 2006 është pedagoge e gjuhës dhe e letërsisë greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT. Ajo është presidente e shoqatës ndërkombëtare “Miqtë e Kazantzakit” për Shqipërinë, si dhe administratore e studios së përkthimit “Aetos Traslations & Events”.
Njohëse e mirë e disa gjuhëve, si: greqisht, anglisht, frëngjisht, italisht.
Përkthyese zyrtare për gjuhën greke, e njohur nga Ministria e Drejtësisë, si dhe përkthyese e një sërë veprash letrare.
Përmendim:
Pjesë teatrale:
“Më afër”, Patric Marber; “Portreti i Dorian Gray”, Oscar Wilde; “Miss Margarita”, Roberto Athayde; “Shërbëtorët”, Jean Genet; “Lisistrata”, Aristofani; “Dadot”, Georgios Skourtsis.
Romane
“Bashkëpatriotë të padëshiruar” nga Jorgos Margaritis; “Në bregun përballë” nga Telemak Koça; “Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More” nga Nikos Kazantzaki etj.
Gjithashtu ka përkthyer nga gjuha shqipe në greke përmbledhjen me poezi haiku “Erashka e hënës” nga Milianov Kallupi.