Sot në shkollën e mesme “25 Maji” të Tuzit, në Malin e Zi, nga shtëpia botuese DITURIA u organizua një takim me nxënës, mësues, intelektualë të Tuzit. Në qendër të takimit ishin problemet e kulturës, të librit për të rinjtë, dhe leximi, si element fondamental i kulturës së individit.
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i Diturisë, z. Petrit Ymeri, që foli për vlerat e librit dhe letërsinë shqipe, për veprimtarinë kulturore të Diturisë dhe për impaktin e librave të botuar në kuadrin e projektit “#DifferentVoices“. Ai promovoi disa nga autorët kryesorë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj duke dhënë këshilla të vlefshme për leximin për të rinjtë.
Në takim merrte pjese edhe z. Gëzim Tafa, botues i Ombra Gvg që foli për kulturën e librit, si element identifikues i individit.
Përkthyesi Nikollë Berishaj u ndal në rolin e madh të përkthimit dhe rëndësinë e botimit të librave në shqip, duke folur për përvojën e tij të fundit si përkthyes i librit “Kebaria, vajza që lexonte bukur”, përkthyer në kuadrin e projektit #Differentvoices.
Mësuesi i letërsisë, z. Sehad Lulanaj, foli për dashurinë e madhe të nxënësve të këtij gjimnazi për letërsinë dhe sidomos letërsinë shqipe. Diskutuan e bënë pyetje shumë nxënës, mësues dhe intelektualë se cfarë mund të bëhet më shumë për një marrëdhënie më të ngushtë midis dy vendeve, sidomos përmes një ure të tillë sic është gjuha dhe kultura shqipe.