#Creative Europe # EUPL
“Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, vjen në shqip romani i vlerësuar si i jashtëzakonshëm nga kritika

Postuar: 20/04/2016 – 08:04
“Dru qershie dhe ndjenja të vjetra” një prej romaneve më të fundit të shtëpisë botuese “Dituria” vjen në shqip për lexuesit. Si gjithmonë me vëmendje për të sjellë vepra të autorëve të njohur, edhe këtë herë botimi nga “Dituria” në vlerësimin e kritikës është cilësuar si një roman i jashtëzakonshëm. Marica Bodrozic, autore e romanit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra” (me të cilin Bodrozic u shpall fituese e Çmimit Europian të Letërsisë), ka lindur më 1973 në Kroaci dhe prej vitit 1983 jeton në Berlin. Shkruan kryesisht në gjermanisht, poezi, romane, tregime dhe ese. Përkthyese letrare dhe mësuese e shkrimit krijues, e vlerësuar me shumë çmime për krijimtarinë e saj në prozë e poezi, si: Çmimi për Letërsinë i Akademisë së Arteve në Berlin, Çmimi Kulturor i Gjuhës Gjermane, Çmimi Letrar i Lihtenshtejnit, etj. E reja Arjetë mundet të ndahet prej shumëçkaje, por jo prej tryezës së gjyshes së saj. Teksa qëndron e ulur në këtë copëz trashëgimi në banesën e re në Berlin dhe shpërhap fotografitë që i kishin rënë në duar gjatë shpërnguljes, kujtimet zgjohen brenda saj, sikur druri i qershisë të nisë t’i rrëfejë të gjitha historitë, dëshmitare e të cilave tryeza ishte bërë në rrjedhën e viteve. Aty janë qyteti i rrethuar dhe Istria, deti i fëmijërisë dhe i rinisë, ikja në fillim të viteve ‘90 që ndryshoi gjithçka. Sarajeva e fëmijërisë dhe e viteve të adoleshencës ka filluar të lulëzojë përsëri – Sarajeva nga e cila ajo u largua pasi nisën bombardimet dhe pasi babai dhe dy vëllezërit e saj humbën jetën. Por aty janë para së gjithash edhe koha në Paris, ku kishte studiuar dhe kishte filluar një jetë të re, në një gjuhë të re – bashkë me piktorin Arik, me të cilin ishte dashuruar kundër vullnetit të saj. Ornitologu Misha Vajsband bëhet i besuari i saj i urtë, fizikania Nadeshda – shoqja e saj më e ngushtë. Dy gratë i lidh një e fshehtë, që për vite të tëra e di vetëm Ariku. Vetëm kur të dyja përballen me njollat e errëta brenda tyre, e gjejnë rrugën për tek e vërteta. Në mënyrë mbresëlënëse, Marica Bodrozic rrëfen për një grua që kërkon mbështetje në një botë plot plasaritje. Dhe asaj i duhet të përballet me të shkuarën e saj, të ndrydhur për një kohë të gjatë, si dhe me kujtesën e copëzuar, nëse vërtet do të jetojë të sotmen. Një roman i jashtëzakonshëm, nga një prej zërave më të freskët dhe më origjinalë të letërsisë bashkëkohore gjermane. Romani, i botuar me mbështetjen e programit Europa Krijuese e Bashkimit Europian, vjen nën përkthimin e jashtëzakonshëm të pedagogut dhe përkthyesit Edvin Cami. Romani i autores së njohur Marica Bodrozic, i cili në 200 faqe është së fundmi dhe në shqip, vjen me një çmim prej 800 lekësh të reja për lexuesit.
Pjesë nga libri
Kohët e fundit e gjelbra është një ngjyrë që më jep ngushëllim. Hapësirat në kokën time janë zgjatuar. Korridore mes tyre. Lumenj dhe varre. Ura. Qelq venecian. Gur i bardhë, vezullues nën diell. Mite të lashta greke. Kaq shumë vend në kujtesën time të gjerë. Peizazhe në shuarje në njërën anë. Lugina në spikatje dhe dete të ronitura në anën tjetër. Fusha e Panonisë, treva e lindjes së Silvës, prej nga ajo ka ikur. Ajo ia ka dalë. I ka shpëtuar vrasësit të vet. Këtu, atë ia kishte shitur fati syve të tij lakmitarë. Unë e mbaj mend këtë fushë, edhe sytë e Bombës i mbaj mend. Në gazetë kanë nxjerrë shumë shpesh një fotografi të tij. Kur isha fëmijë, kam qenë shumë herë në Donaushtat. Kemi vizituar kombinatin ushqimor, një i afërm punonte atje. Kujtesa ime është një shtëpi e madhe. Dhomë më dhomë ajo zgjerohet në kokën time. Këtu më thonë se kjo ka të bëjë me prejardhjen time, që më përndjek. Por unë e di se filli im ndriçues nuk ka kurrfarë pasaporte. Unë vetëm buzëqesh. Prej kohësh nuk korrigjoj më askënd. Prapatokë. Karst. Male. Det. Sërish e sërish kripa e atij ajri veror të lashtë, fërgëllues. Prej andej vij unë. Prej këtij ajri. Koka ime është autonome, ajo e di se tani të gjitha pasaportat janë të vulosura gjithandej. Por në dhoma, natën, fluturojnë të tjerë zogj. Dhe në përfundim të ditës, të të gjitha ditëve, më duhet të vihem në provë para fillit tim ndriçues.
Nga Julia Vrapi
– See more at: http://www.sot.com.al/kultura/%E2%80%9Cdru-qershie-dhe-ndjenja-t%C3%AB-vjetra%E2%80%9D-vjen-n%C3%AB-shqip-romani-i-vler%C3%ABsuar-si-i-jasht%C3%ABzakonsh%C3%ABm#sthash.pUlruK8A.08NLBXKI.dpuf