Blog

“Kanali Musolini”, rrëfim për një popull, për një kohë!

http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/kanali-musolini-rrefim-per-nje-popull-per-nje-kohe/

“KANALI MUSOLINI”, RRËFIM PËR NJË POPULL, PËR NJË KOHË!

 25 PRI 2016   POSTED BY D B

 


Eni Myrtollari
Kanali Musolini”, një dritare në Italinë midis dy luftërave botërore, parë nga sytë e një familjeje nga Veneto, e ngulur tashmë pranë zonës që po bonifikohej, të Agro Pontinos. Familje e madhe kjo, simpatizuese e Musolinit, por që në atë zonë kënetore shkon siç thotë autori, “prej urisë, zotëri. Nga se tjetër, veç urisë?”. Rrëfimtari i këtij romani, pinjoll i familjes patriarkale Peruci, nuk rrëfen thjesht eksodin e fshatarëve nga Italia e Veriut drejt Kënetave Pontine, si pjesë e planit fashist për të hapur toka bujqësore, por si një sagë të mrekullueshme, që paraqet një anë tjetër të historisë moderne të Italisë – që u rri besnike fakteve – e që ju grish ta lexoni. Zëri i rrëfyesit qesëndisës zbulon me humor aventurat e shtatëmbëdhjetë emtave dhe ungjërve të tij. Po, ata ishin shumë, një familje e stërmadhe: “Si thatë? Sa bëheshim në shtëpi? Ç’e pyet, një tufë ishim. Shtatëmbëdhjetë fëmijë kishte bërë im gjysh, tetë femra e nëntë meshkuj”, – sqaron ai që në krye. Por, mos u çudisni aspak nga mënyra se si u drejtohet lexuesve, sikur t’i kishte përballë. Ky ligjërim ftues, gati-gati bashkëbisedor, është njëra nga befasitë më të këndshme të kësaj vepre, që i ngjall lexuesit ndjesinë se vërtet ka para vetes këtë rrëfimtar fjalëmbël.
Kanali Musolini nuk është aspak një histori mallëngjyese për varfërinë dhe vuajtjen, që pa dyshim nuk mungonte në ato vite, se familja Peruci nuk pranon kurrsesi të hiqet si viktimë: ata janë yjet e shfaqjes së tyre. Antonio Pennacchi u jep jetë me shumë mjeshtëri këtyre personazheve; duke filluar nga xhaxha Adelki, mania e të cilit për uniformat e bën që të punojë si polic qytetas, te xha Themistokliu, që shkoi të luftonte gjermanët në Luftën e Madhe. Ungj Perikliut, fashist deri në palcë e njeri gjaknxehtë që adhuronte Musolinin, domosdo që i takonin kryet e vendit, se ishte më i madhi. Emtë Bisola, fjalëshumë dhe zhurmëmadhe do e argëtojë lexuesin me “të pabërat” e veta.
Plani ambicioz i Duçes për të tharë Kënetat Pontine, pranë Romës, bën që të shpërngulen mbi 2 000 familje me ca simpatira fashiste nga Veriu i Italisë e të vijnë të punojnë bashtinat që u janë caktuar, të cilat shtrihen pranë Kanalit Musolini të sapondërtuar. Shtëpi dykatëshe janë ngritur për çdo familje si pjesë e këtij plani të stërmadh të qytetit të ri. Fashizmi ka përcaktuar edhe lëvizjen më të vogël të këtyre kolonëve, me përpikëri fashiste! Ky eksod i parë me sytë e fshatarëve gjatë gjysmës së parë të shekullit XX përmban shumë shtresime ku, nën petkun e historisë, ngjarjeve politike dhe humorit, flitet edhe për fuqinë e familjes: mirë apo keq, ata janë përherë bashkë dhe kështu bëjnë përpara, si një bërthamë. Gjithë duke vënë në lojë teprimet dhe kotësitë e fashizmit, veçanërisht të diktatorit, Pennacchi shpjegon gjithashtu joshjen ndaj tij dhe e mirëkupton nostalgjinë e shumë njerëzve që thoshin se shteti funksiononte më së miri në atë mënyrë.
Pennacchi, që në hyrje, e quan Kanalin Musolini “libri për të cilin kam ardhur në këtë botë”. Ai është pasardhës i këtyre njerëzve dhe jeton edhe sot e kësaj dite në Latina, në rrethinat e Romës, aty ku u lind. Prejardhja e tij nga krahina e Latinës i ka dhënë edhe më shumë mundësi ta njohë historinë nga afër dhe ta përshkruajë atë me vërtetësi dhe shumë natyrshëm, fakte, ngjarje, përmes gjuhës së rrjedhshme dhe skalitjes së personazheve. Përveç këtyre, lexuesit do hasin faqeve të romanit, personazhe reale: Edmond Rosonin, shkrimtarin e dashur dhe një fashist të orëve të para, Edmond de Amiccisin, Adolf Hitlerin (eh, kush e dinte që Hitlerin mund ta thërrisnin edhe Dolfi!) dhe Musolinin para se të bëhej Duçe! Megjithëse personazhet janë të trilluara, Pennacchi thotë se “nuk ka kolonë të cilëve të mos u kenë ndodhur këto që u kanë bërë vaki Perucëve”.
Por nuk duhet të mos përmendim dhe meritat që i takojnë përkthyeses Diana Kastrati, që ka rrokur shpirtin dhe frymën e veprës, duke ia dalë të sjellë në shqip gjuhën e thjeshtë, humorin dhe dialektin e Italisë së Veriut. Filoja – mbledhja rreth vatrës për të treguar histori, kërcyer dhe për t’u argëtuar me njëri-tjetrin – borgoja apo fshati tipik, fashiot e ngritura nga fashizmi dhe të tjera elemente kësodore do t’i japin aromën e vërtetë të asaj periudhe. Përveçse një roman i jashtëzakonshëm, ky mund të shihet edhe si një historishkrim, sigurisht i rrëfyer përmes letërsisë.
Botimi më i ri i Shtëpisë botuese “Dituria” është romani me përmasa gati epike i shkrimtarit italian Antonio Pennacchi, “Kanali Musolini”, vepër që me shumë meritë fitoi çmimin letrar Strega në Itali në vitin 2010. Kjo vepër është pjesë e projektit “Europa Krijuese”, mbështetur nga Bashkimi Europian. Botuar nga Shtëpia botuese “Dituria” e përkthyer nga Diana Kastrati, libri ka 460 faqe dhe kushton 1250 lekë.