https://sot.com.al/kultura/promovohet-n%C3%AB-tiran%C3%AB-romani-%E2%80%9Cvirgj%C3%ABresha-holandeze%E2%80%9D-autorja-nj%C3%AB-lib%C3%ABr-p%C3%ABr-pik%C3%ABtakimet-edhe
Shkrimtarja holandeze Marente de Moore fituese e çmimit letrar të letërsisë në 2014 prezantoi në Tiranë romanin “Virgjëresha holandeze”. Romani është përkthyer nga Albana Shala dhe autorja nuk e fsheh kënaqësinë që është dhe në gjuhën shqipe, si botim nga shtëpia botuese “Dituria” për lexuesit. Në pamje të parë romani duket si një rrëfim për një histori dashurie apo humbjen e pafajësisë, por shkrimtarja thotë se ai flet më shumë për kufijtë dhe luftën. “Ky është një libër për pikëtakimet edhe kufijtë, edhe për dy kufijtë, dy shokë të vjetër dhe dy vende. Kur e kam shkruar këtë roman unë kam jetuar në kufirin mes tre vendeve dhe e kisha izoluar veten nga jeta e Amsterdamit”, tha gjatë provimit të tij, autorja në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Suksesi i këtij romani ka bërë që të udhëtojë në disa vende dhe së fundmi është dhe në Shqipëri. “Nuk e mendova kurrë që vepra do të vinte në shqip dhe më solli në vendin e një prej shkrimtarëve që kam idhull si Ismail Kadare”, tha ajo mes të tjerave. Botuesi Petrit Ymeri u shpreh se shqiptarët e pëlqejnë letërsinë e mirë dhe vlerësoi romanin. “Në këtë roman ndihet atmosfera e Luftës së Dytë Botërore. Një atmosferë historike që të bën shumë përshtypje, një roman tërheqës. Shqiptarët e pëlqejnë letërsinë e mirë, e vlerësojnë. Kjo është arsyeja që dhe romani “Virgjëresha holandeze” do të pëlqehet”, tha botuesi Ymeri. Marente de Moor, ka lindur më 1972 në Hagë, Holandë. Studioi për gjuhë sllave dhe letërsi në Universitetin e Amsterdamit, prej ku u diplomua më 1999. Prej vitit 1991 jetoi dhe punoi si gazetare korrespondente në Shën Petërburg dhe, bazuar mbi këtë përvojë, shkroi librin “Tregime petërburgase”, që u botua më 1999. Botimi i romanit “Shkelësi” më 2007, gjithashtu u prit mjaft ngrohtë nga lexuesit dhe u vlerësua nga kritika. Më 2010 De Moor botoi romanin e saj të dytë me titull “Virgjëresha holandeze”, fitues i Çmimit për Letërsinë AKO (2011) dhe më pas i nderuar me Çmimin Europian për Letërsinë për vitin 2014. Deri tani ky roman është botuar në njëmbëdhjetë gjuhë.
Romani
Në verën e vitit 1936, doktori holandez Zhak dërgon të bijën tetëmbëdhjetëvjeçare, Janën, të qëndrojë në shtëpinë e Egon Fon Boetigerit, një gjerman me të cilin kishte pasur miqësi në rini. Maître-ja aristokrat i skermës, që do të ndihmojë Janën të përsosë aftësitë në këtë sport, i kalon ditët në një shtëpi fshati, ku organizon ndeshje të ndaluara mensuri me studentë. Jana bie në dashuri me Egonin, një figurë plot mistere, tërheqës dhe joshës. “Virgjëresha holandeze” është shumë më tepër se sa një histori për dashurinë dhe humbjen e pafajësisë. Një botë e re, e panjohur, shpaloset para Janës, plot gjëegjëza për të vërtetën e marrëdhënies së babait të saj dhe Egonit, dy burra që janë takuar në një kohë të largët, gjatë Luftës së Parë Botërore. Rrugëtimi i Janës drejt botës së të rriturve është një përvojë kontradiktore dhe çoroditëse. Kodi aristokrat i nderit, me nocionin e vet të kurajës dhe heroizmit, nuk ka më vlerë. Me ardhjen në pushtet të nazistëve, po nis një periudhë barbarie. Përmes përjetimeve të Janës, De Moor risjell atmosferën e trazuar të një epoke si një pikë kyç në histori, duke përshkruar me nota të gjalla pasiguritë dhe tensionet që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore. Libri, i përkthyer me mjeshtëri nga Albana Shala, është pjesë e projektit “Storytelling the Life”, i mbështetur nga Programi Europa Krijuese i Bashkimit Europian.
Nga Julia Vrapi