Blog

“Ari i rremë” i Maro Douka, në shqip për lexuesit si ndërthurje e botëve të ndryshme – Gazeta SOT #CreativeEurope

“Ari i rremë” i Maro Douka, në shqip për lexuesit si ndërthurje e botëve të ndryshme

 “Ari i rremë” i Maro Douka, në shqip për lexuesit si ndërthurje e botëve të ndryshme

Postuar: 24/05/2016 – 08:48

Botime të reja që vijnë për lexuesit nga shtëpia botuese “Dituria” janë vepra që i takojnë autorëve të njohur. Së fundmi vjen në shqip me përkthim nga Maklena Nika libri “Ari i rremë” i autores Maro Douka. Edhe këtë herë me këtë përzgjedhje libri, që vjen nga shtëpia botuese “Dituria” është një roman që ka marrë vlerësime. Ndryshimi i regjimit ishte një epokë kalimtare dhe fluide, plot kundërshtime dhe surpriza. Secili më vete dhe të gjithë së bashku kërkonin të pagabueshmen. Disa kërkonin shpërblime dhe disa heshtnin. Pikërisht në atë kohë shfaqet prozatorja Maro Douka, që me “Arin e rremë” hap perden e zbulon peizazhin e brendshëm dhe të jashtëm të kohës në të gjitha përmasat. Ngjarjet e romanit zhvillohen në vitet e para të ndryshimit të regjimit, mbulojnë periudhën e diktaturës me projektimet historike në klimën e luftës së ftohtë, gjatë Luftës Civile, pushtimit gjerman dhe shkatërrimit të Azisë së Vogël. Në ngjarje marrin pjesë personazhe nga të gjitha shtresat shoqërore. Gjetja më e rëndësishme është heroina kryesore dhe rrëfimtarja: Mirsinia. Mjet përzgjedhjeje nga bregu përballë i shkrimtares, nga klasa borgjeze. Kështu Douka mban distancë dhe gjendet në pozicion të favorshëm, ndërsa gdhend një heroinë larg përjetimeve të saj personale me ç’ka lë të kuptohet. “Te “Ari i rremë” bashkudhëtojnë përvoja personale dhe vullneti artistik. Sinereza e subjektives dhe objektives është dallgëzuese me variante dhe ngjyrime elegante dhe të ndërlikuara. Nuk ekzistojnë karaktere absolutë: asnjë personazh nuk është vetëm simpatik apo antipatik. Të gjithë personazhet janë sintetikë. Botët e ndryshme që monumentohen në roman nuk ndahen, por ndërthuren me njëra-tjetrën. Dramatikja kombinohet me liriken”, shkruhet mbi romanin. Maro Douka ka lindur në Hania, më 1947. Prej vitit 1966 jeton në Athinë. Ka përfunduar studimet për histori dhe arkeologji në Fakultetin e Filozofisë në Athinë. Për romanin “Ari i rremë” (përkthyer në shumë gjuhë europiane) është nderuar me çmimin Nikos Kazantzakis; për romanin “Qyteti lundrues” me Çmimin e Dytë Kombëtar dhe për romanin “Të pafajshëm dhe fajtorë” Akademia e Athinës i ka dhënë Çmimin e Prozës Kosta Urani. Për këtë roman ka fituar edhe çmimin Balkanika.

Mbi romanin

Me “Arin e rremë”, Maro Douka, shkrimtare bashkëkohore greke e një sërë veprash, na ofron një roman të pazakontë, që befason dhe intrigon lexuesin dhe kritikën.  Për përkthyesen e romanit, në sfondin historik të Greqisë së viteve të Juntës së Kolonelëve, të ndryshimit të regjimit, ku gjithçka është kalimtare dhe fluide, plot kundërshtime dhe të papritura, ajo guxon të fshikullojë të vërtetën, duke nxjerrë në pah të gjitha anët e fshehura të kohës. “Nëpërmjet personazhit kryesor, Mirsinit, një vajzë nga shtresat borgjeze rreth të njëzetave, ajo përpiqet, pa u mbështetur askund, të artikulojë foljen e ndaluar “jam”, për të thënë të vërtetën, për të riprodhuar epokën e mjerë të diktaturës me ndriçimin dialektik të aspekteve njerëzore dhe çnjerëzore që e përbënë, pa ndonjë megalomani, ndonjë parullë apo pa gjurmë demagogjie”, shkruan përkthyesja Maklena Nika. “Ari i rremë” me autore Maro Douka dhe përkthim nga Maklena Nika sjell ngjarjet e tij në 280 faqe dhe lexuesit e gjejnë me një çmim 800 lekë. Nga Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

– See more at: http://www.sot.com.al/kultura/%E2%80%9Cari-i-rrem%C3%AB%E2%80%9D-i-maro-douka-n%C3%AB-shqip-p%C3%ABr-lexuesit-si-nd%C3%ABrthurje-e-bot%C3%ABve-t%C3%AB-ndryshme#sthash.Ti3xLss5.dpuf