Blog

E premte, datë 09 dhjetor 2016, ora 11.00, në Fakultetin e Filologjisë, takim me Stefano Bartezzaghi-n për dy librat e Eco-s, “Lavjerrësi i Fukoit” dhe “Si të udhëtosh me një salmon”!

“I ke lexuar të gjithë?” (pyetja që i bëhej shpesh Eco-s)   “Natyrisht bibliofili, edhe ai që koleksionon libra bashkëkohorë, vihet ballë për ballë me kërcënimin e torollakut që i hyn në shtëpi, që sheh gjithë ato rafte dhe nxjerr nga goja: ‘Sa shumë libra! I ke lexuar të gjithë?’ Përvoja e përditshme tregon se kjo pyetje na bëhet edhe nga njerëz me nivel të kënaqshëm intelektual. Si përgjigje standarde për të tillë pyetje, për mendimin tim, janë tri: • E para, që step të porsaardhurin dhe shkëput çdo marrëdhënie, është: ‘Nuk kam lexuar asnjë syresh, përndryshe përse do t’i mbaja këtu?’ Por një gjë e tillë ia gudulis sedrën të mysafirit, dhe nuk shoh ndonjë arsye pse i duhet dhënë kjo kënaqësi.  • Përgjigjja e dytë, e cila zhyt vizituesin në një gjendje inferioriteti të thellë, tingëllon pak a shumë kështu: ‘Këta dhe shumë të tjerë, zotëri, shumë të tjerë!’ • E treta është rrjedhim i së dytës, dhe e përdor kur dua që vizituesi të bjerë në kurth në një habi vrastare. I them: ‘Jo, ata që kam lexuar, i mbaj në universitet, këta janë gjithë sa duhet të lexoj brenda javës së ardhshme.’ Duke qenë se kam 50 mijë tituj në bibliotekë, ai ditëziu me zor pret çastin e largimit, duke mërmëritur sa ka një takim të ngutshëm.” Në vitet e para të universiteti, bibliofilia ime kishte dhënë simptomat e para shqetësuese: shfaqet ankthi i bibliomanit. Kisha pyetje si këto: cilët janë klasikët? Cilët libra duhen lexuar patjetër? Ku ta gjej kohën për t’i lexuar? Nuk ishin pyetje të pakuptimta, duke qenë se isha student dhe kisha pirgjet e mia me vëllime psikiatrie dhe psikanalize frojdiane për të lexuar. Edhe në këtë rast, Umbero Eco, në një numër të revistës Minerva të vitit 1997, ma dritësoi çështjen:  “Sa kohë duhet për të lexuar një libër? Gjithmonë nëse flasim nga pikëvështrimi i një lexuesi të zakonshëm, i cili i kushton leximit vetëm disa orë në ditë, do të thosha, për një libër mesatar, të paktën katër ditë. Është e vërtetë që për të lexuar Prustin apo Shën Thoma Akuinin nevojiten muaj, por ka kryevepra që mund të lexohen brenda një dite. Le të mbetemi te mesatarja prej katër ditësh. Katër ditë për çdo vepër të regjistruar nga Bompiani bëjnë 65 400 ditë: pjesëtojini për 365 dhe dalin thuajse 180 vjet. Arsyetimi është pa të meta. Por, askush nuk mund të ketë lexuar apo do lexojë të gjitha veprat e rëndësishme.” #Storytellingthelife, #CreativeEurope #EU15284877_1362425827110100_8073497054178549370_n