Mos iu druaj të vdekurve, druaju të gjallëve!
I quajnë cold case. Janë hetime të pazgjidhura, helmi që helmon zemrat dhe mjegullon mendjet e detektivëve më të zotë. Kur i dërgojnë në seksionin e krimeve të pazgjidhura të policisë, në Kaljari, inspektoret Mara Rais dhe Eva Kroçe ende nuk janë të ndërgjegjshme se sa mizor mund të jetë obsesioni i shkaktuar prej tyre.
Mara nuk e harron dot padrejtësinë që i bënë në punë, që i kushtoi transferimin ndëshkues, kurse Eva, përkundrazi, dëshiron me gjithë shpirt të harrojë tragjedinë që e shtyu të linte Milanon dhe të nisej për në Sardenjë, me një biletë pa kthim.
Policet fillojnë në këtë sektor të ri me një barrë dyshimesh dhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës, por, kur bëhen bashkë, kthehen në një dyshe shpërthyese, ku vrulli dhe instinkti i ashpër i Raisit përplasen me mprehtësinë dhe përmbajtjen e dhimbshme të Kroçes. Të degdisura në arkiv, përfundojnë pezull mes një të tashmeje klaustrofobike dhe krimeve të një të shkuare të largët. Kështu, ato nisin të hetojnë vrasjet misterioze të vajzave të reja, të kryera vite më parë në disa vendngulime të lashta të popullsisë nuragjike, në ishull. Por pista e ftohtë befas merr zjarr. Vrasësi ka goditur sërish. Eva dhe Mara do të konkurrojnë me ritualet e një feje të largët e të egër dhe do të përfshihen në një duel vdekjeprurës me demonët e vet.
Duke vënë në pikëpyetje heshtjen e papërshkueshme që mbështjell Sardenjën e tij, Piergiorgio Pulixi e shtyn noir-in edhe më përtej, duke zbuluar dobësitë e punës hetimore në një botë të pandreqshme, në të cilën edhe kërkimi i së vërtetës kthehet në faj.
“Shqisat i çirreshin fort që t’ia mbathte e, megjithatë, as muskulin s’lëvizte dot. Vendosi ta shkelte atë kufi të padukshëm. U çapit i ndrojtur, duke iu avitur qenies njerëzore. Ishte një grua, lakuriq nën bashkat e deles. Gjaku i pikëlonte nga një plagë e hapur në gushë, duke qullur truallin e lagësht. Duart i kishte të lidhura pas shpine. Ndodhej në qendër të një qerthulli megalitik, në një rreth që vijonte në trajtë spiraleje, para tempullit që mbronte pusin e shenjtë.”
“Pulixi është shumë i zoti në pershkrimin e skenave dramatike dhe intime. Të lexosh librin e tij, është si të shohësh një film, të udhëhiqesh nga një aparat fotografik live, të ndryshosh ambiente pa humbur kurrë. Dhe lexuesi është i etur të dijë se çfarë do të ndodhë më pas, si do të përfundojë, sepse lidhet fort me personazhet, si të ishin njerëzit e tij të afërt.”
Stefania Bergo, Libri