Çelet sot panairi i librit, ja 14 titujt e rinj të shtëpisë botuese “Dituria”
Autorë të huaj, nga më të shquarit e të gjitha fushave, por dhe autorë të njohur shqiptarë janë të pranishëm në botimet e shtëpisë botuese “Dituria”. Autorë të huaj klasikë e modernë e shumë të tjerë, janë sot mjaft të njohur dhe të suksesshëm edhe në Shqipëri në sajë të kësaj shtëpie botuese, e cila sot në hapjen e Panairit të Librit “Tirana 2014” prezanton edhe 14 botime të reja.
Me përkthim të emrave të njohur, për lexuesin vijnë në stendat e “Diturisë” vepra që kanë marrë vlerësime në shumë vende, vlerësime nga kritika që i ka klasifikuar veprat dhe autorët ndër më të mirët. Në 14 botimet e reja që shtëpia botuese “Dituria” prezanton sot në stendën e saj spikasin romane, drama, botime historike, etj, që vijnë tek lexuesit me përkthim nga Nasi Lera, Gëzim Qëndro, Krenar Hajderi, Virgjil Muçi, Kujtim Ymeri, etj. Mes 14 botimeve vijnë autorët si Irene Nemirovsky me “Afshi i gjakut”, një roman që sjell në vëmendje një dramë familjare e shkruar si një hetim policor tregon shtrëngatën e rrahjeve të zemrës së mbyllur në vetvete, në një shoqëri tepër të lëmuar në sipërfaqe. Fatos Baxhaku vjen me “Gra të përgjithshme”.
Libri është mbështetur në literaturën e paktë historike që ekziston në shqip dhe, sidomos, në dokumentet e gërmuara në Arkivin Qendror të Shtetit. Geert Van Istendael në stendën e “Diturisë” e gjejmë me “Historia e Belgjikës”. Që në botimin e tij të parë, më 1989, libri pati sukses të jashtëzakonshëm dhe deri tani ai është ribotuar 17 herë. J. Lukowski dhe H. Zawdski para lexuesit janë me veprën “Historia e Polonisë”, Jevgenij Anisimov sjell “Historia e Rusisë”, vepër e jashtëzakonshme, që përfshin gjithë historinë e Rusisë. Në botimet e reja bie në sy dhe “Im ungj Osvald” një nga veprat më të njohura të Roald Dahlit. Ky roman i pashoq është konsideruar prej kritikës si një vepër “pa masë zbavitëse”, ku të gjithë përfitojnë kënaqësi dhe shfrytëzohen prej shoku-shokut në një mënyrë apo një tjetër. Robert Galbraith vjen para lexuesit me “Kënga e qyqes”, një libër i mrekullueshëm, romani i parë i serisë me dedektivin Kormoran Strajk, i JK Rowlingut, shkruar me pseudonimin Robert Galbraith.
Në botimet e reja spikat dhe vepra “Më thuaj kush jam” i autores Julia Navarro. Borgjeze dhe revolucionare, grua dhe dashnore, spiune dhe vrasëse, protagonistja së bashku me një galeri të tërë personazhesh përjetojnë aventurën e të jetuarit intensivisht një shekull, nga Spanja republikane deri në rënien e Murit të Berlinit, duke kaluar përmes Luftës së Dytës Botërore dhe viteve të errëta të Luftës së Ftohtë. Mes veprave të 14 autorëve shtëpia botuese “Dituria” në titujt e rinj sjell dhe “Trilogjia e mjegullës”, që bashkon tre librat e parë të shkruar nga Carlos Ruiz Zafon, duke formuar një cikël romanesh me mister dhe aventurë. Plot intriga dhe befasi, të tre historitë formojnë një triptik ku elementet romanceske nga letërsia fantastike dhe gotike, të kombinuara me forcën e madhe tregimtare dhe stilin e pagabueshëm të autorit.
Panairi i Librit, 12-16 nëntor, do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira. Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë. Panairi i 17 i Librit do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada, duke filluar që nga hyrja e Pallatit të Kongreseve, ku do të vendoset një portret i De Radës, dhe deri te aktivitetet e shumta që do zhvillohen gjatë 5 ditëve të Panairit. Në Panairin e 17 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Në ditët e panairit do të ketë promovime librash, autorë të njohur të ftuar në stenda të ndryshme, duke pasur në vëmendje krijimtarinë letrare.
Nga Julia Vrapi