Audio Book

 Kopshti prej qelqi

Autori: Tatiana Țîbuleac

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Maniela Sota

Viti i Botimit: 2021 

Lexoi: Evis Trebicka

Kohëzgjatja: 6 orë e 10 minuta

Çmimi: 960 lekë

 

Kishinjev, Moldavi. Lastoçika e vogël birësohet nga mbledhësja e shisheve Tamara Pavlovna. Lastoçika shkon në shkollë, mëson rusisht, edhe pse parapëlqen gjuhën e saj, dhe ndëshkohet nga e ëma kur nuk e flet siç duhet rusishten. Ajo mëson të lajë shishe, por edhe të vjedhë apo të refuzojë kërkesat e burrave tepër këmbëngulës… Fqinjët e saj bëhen familja e saj e re dhe i japin pak nga mirësia e tyre. Por plagët nuk zhduken dhe pyetjet e mundojnë.
“Kopshti prej qelqi” është një roman intim për traumat e fëmijërisë, kërkimin e vetvetes dhe identitetit në një mjedis shumëkulturor dhe dygjuhësh. E parë përmes syve të një fëmije, historia tregohet me ndjeshmërinë, brishtësinë, ashpërsinë dhe empatinë e moshës. Fëmijëria e saj i ngjason shumë lodrës aq të dëshiruar nga Lastoçika – kaleidoskopit – të cilin e gjeti në rrotat e një makine dhe që dukej i plotë, megjithëse ishte i thyer brenda.
Por “Kopshti prej qelqi” është edhe një letër imagjinare nga Lastoçika, e rritur tashmë, për prindërit e saj. Dhimbja prej braktisjes, mungesa e dashurisë dhe butësisë amësore janë plagë që nuk shërohen.

Pafundësi

Autori: Maša Kolanović

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Xhelal Fejza

Viti i Botimit: 2021 

Lexoi: Evis Trebicka

Kohëzgjatja: 5 orë e 23 minuta

Çmimi: 960 lekë

 

Nëpërmjet këtij vëllimi me tregime autorja synon të na rrëfejë për absurditetin e ekzistencës, lidhur ngushtë me kapitalizmin e pamëshirshëm, ku protagonistët përpiqen të ruajnë dinjitetin e tyre. Ka dymbëdhjetë histori me një sërë temash mbërthyese. Një teze e moshuar që i druhet varrosjes për së gjalli, vendos të marrë celularin e saj në varr dhe u kërkon familjarëve t’i telefonojnë një ditë pas funeralit. Një tregimtare i lexon bashkëshortit në prag të vdekjes dhe një ish-drejtori të një dyqani, slogane reklamash nga katalogu i IKEA-s. Një vajzë, nëna e së cilës ndërron jetë prej kancerit të zorrës së trashë, hap gardërobën e së ëmës dhe gjen aty “ditarin e shpenzimeve” të saj pa fre në eBay, si një mënyrë për të hequr mendjen nga diagnoza e pamëshirshme. Një baba i moshuar e gjen veten në duart e një operatori telefonik, me të cilin ka firmosur në mënyrë të pandërgjegjshme një kontratë të pafavorshme, dhe fillon të marrë fatura të majme sepse nuk ia thotë nga teknologjia. Një fëmijë u kërkon prindërve t’i blejnë të njëjtën kukull që ka parë në një dokumentar për Çernobilin. Në të dymbëdhjetë historitë, që të bëjnë të mendosh, jeta dhe vdekja ndërthuren me njëra-tjetrën, bashkë me të qeshura, lot në sy dhe një komb në fyt.

Mutacionet 

Autori: Francis Kirps

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Edvin Cami

Viti i Botimit: 2021 

Lexoi: Asjana Koka

Kohëzgjatja: 4 orë e 11 minuta

Çmimi: 960 lekë

 

Vëllimin Mutacionet, një përmbledhje mbresëlënëse prej shtatë tregimesh dhe një poezi, Francis Kirps e ka ndërtuar në bazë të lidhjeve ndërtekstuale me vepra të shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Këto rrëfime të fuqishme, të shpalosura me shkathtësi, shndërrohen kështu në histori të reja, të pavarura, të bartura tërësisht me zërin dhe fuqinë imagjinare të Francis Kirpsit. Kështu, miza e shtëpisë Leon Sumsa zgjohet një mëngjes e shndërruar në një “vertebror të përbindshëm”, domethënë në një qenie njerëzore, çka të sjell ndër mend Metamorfozën e Kafkës. Luani i satirës së Kurt Tucholskyt (Luani është lëshuar) kthehet te Kirpsi në një ari polar që shëtit nëpër Berlin. Modeli i statujës së Venerës së ishullit të Prosper Merimesë punon si skllave në një “ndërmarrje” të lashtë romake, e ngritur mbi paralele mbresëlënëse me botën e punës në ditët tona. Anekdota nga lufta e fundit prusiane, e Heinrich von Kleistit, zhvendoset në të ardhmen, teksa katër njerëzit e fundit janë në luftë me njëri-tjetrin. Ndërsa Thirrja e ariut të madh e Ingeborg Bachmannit ndërthuret me mitin e Ktulhuit të Lovecraftit, për të krijuar një frymë poetike si ajo e Gottfried Bennit.

Ankthi i portierit para penalltisë

Autori: Peter Handke

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Jonila Godole

Viti i Botimit: 2021 

Lexoi: Xhelil Aliu

Kohëzgjatja: 3 orë e 7 minuta

Çmimi: 960 lekë

 

I pushuar befas nga puna në kantier, ish-portieri i futbollit, Jozef Bloh, fillon të endet rrugëve të Vjenës: shkon në treg, kinema, stadium, pastaj kërkon një dhomë hoteli për natën. Shqisat e tij janë në përgjim, gjithçka e shqetëson.

Ai kërkon me dëshpërim një njeri me të cilin të flasë, përpiqet t’u telefonojë të njohurve, pa gjetur askënd. Bredhjet e tij vazhdojnë derisa takon një grua të gatshme të kalojë natën me të. Por pastaj e vret, pa asnjë motiv.

Ankthi që e mbërthen pas vrasjes është i njëjtë me atë që ndiente kur, si portier, përgatitej të priste një penallti. Përpiqet atëherë të arratiset drejt kufirit, duke u ndier i spiunuar, gjah për të tjerët, dyshues ndaj të gjithëve, në përpjekje për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarit…

Një nga tekstet më domethënëse të Peter Handkes, një thriller i tensionuar dhe anormal, me një stil narrativ tejet origjinal.

Përmasa e katërt

Autori: Janis Ricos

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Romeo Çollaku

Viti i Botimit: 2021

Lexoi: Asjana Koka

Kohëzgjatja: 5 orë e 10 minuta

Çmimi: 1200 lekë

Poemat e përmbledhjes Përmasa e katërt, Janis Ricos i shkroi nga viti 1956 deri në vitin 1975, një hark kohor ky që përmendet si periudha më e begatë e krijimtarisë së tij. Të gjitha poemat zhvillohen në trajtë monologu teatral, me karakter narrativ, në varg të lirë dhe me fjalor të thjeshtë e, ndonjëherë, antilirik. Atyre u paraprin një hyrje si udhëzim skenik dhe mbyllen me një epilog, gjithashtu në prozë. Nëpërmjet personazhesh legjendare, të nxjerra nga cikli i atridëve apo ai i Luftës së Trojës, Janis Ricos flet për vetminë, për dashurinë e humbur, për plakjen e trupit, për përplasjet që ndodhin brenda ndërgjegjes së individit si autor veprash sociale, për kujtesën vetjake dhe për atë historike. Rrëfyesi i secilës poemë i drejtohet një personazhi tjetër, memec, i cili është vazhdimisht i pranishëm në skenë, dëgjon, por nuk përgjigjet. Përmasa e katërt, që i jep titullin librit, është, sipas vetë poetit, koha, jo thjesht koha biologjike që rrënon, shkatërron dhe e shpie njeriun drejt vdekjes, por kryesisht koha historike, e cila e shkundullon protagonistin dhe e detyron të luftojë me të shkuarën dhe të ardhmen, në mënyrë që, duke shqyrtuar veprat e veta, të shpjegojë shkaqet që i shtyjnë drejt rrënimit shpirtëror.

Katitzi

Autori: Katarina Taikon

Kategoria: Botime për fëmijë, deri në 9 vjeç

Përkthyes: Sokol Demaku  

Viti i Botimit: 2021

Lexoi: Anxhela Çikopano

Kohëzgjatja: 3 orë e 17 minuta

Çmimi: 840 lekë

Gazmore dhe plot kureshtje për botën, Katitzi është një vajzë rome tetëvjeçare. Ajo është heroina e shtëpisë së fëmijës ku jeton, e gatshme të sfidojë kujdestaren e rreptë. Gjithçka ndryshon ditën kur, papritur, babai vjen për ta marrë. Katitzi zbulon se ka një familje të madhe, që jeton në një rimorkio, vesh rroba si në përralla, luan në violinë e u bie tambureve dhe drejton një park të vërtetë argëtimi! Fillon kështu jeta e saj e re, plot të papritura të mrekullueshme, por edhe me shumë mundime e peripeci, që ajo e ka të vështirë t’i kuptojë. Së bashku me motrat, Rozën dhe Lenën, Katitzi duhet të punojë çdo ditë dhe të kujdeset për motrat e vëllezërit më të vegjël, të lindur nga martesa e dytë e babait me një suedeze, që di vetëm të ankohet dhe të japë urdhra.

Po pse nuk mund të jetojnë në një shtëpi të vërtetë? Të ndalen në një vend pa i dëbuar? Pse të mos shkojnë në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë? pyet Katitzi, e cila, nuk është nga ato që dorëzohen përballë padrejtësive dhe heqin dorë nga ëndrrat e tyre. E frymëzuar nga historia personale, Katarina Taikon ka shkruar për jetën dhe aventurat e Katitzit e familjes së saj rome.

Pas suksesit në vitet 1970, seria ka fituar sërish zemrat e lexuesve, të vegjël e të rritur, falë aftësisë për të rrëfyer për paragjykimet dhe përjashtimet, në këndvështrimin e pafajshëm e të gjallë të një fëmije.

E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty

Autori: Alda Merini

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Ledia Dushi

Viti i Botimit: 2021 

Lexoi: Anxhela Çikopano

Kohëzgjatja: 56 minuta

Çmimi: 720 lek

Një përmbledhje poezish, në vazhdën e përmbledhjes me poezi të poetit të madh francez, Prévert “Kjo dashuri”. Poezi për t’u lexuar, për t’u recituar, për t’u kopjuar, për t’u dhënë si dhuratë: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, mund të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe më komplekse. Poezia, dashuria dhe çmenduria futen njëkohësisht në jetën e poetes Alda Merini, një stuhi që e përmbysi, në adoleshencë, deri kur ajo arrin të fitojë mbi të, me forcën e fjalës. Ndërkohë që tregon për vitet e kaluara në spitalin psikiatrik, ajo padit përvojën më të dhimbshme: urdhrin që i jep mjeku që të mos dashurohet.

Në poezitë e Alda Merinit dashuria, më shumë se një temë dominuese, është shpirti që përshkon vargjet, është mekanizmi që vë në lëvizje fjalët. Objekt i dashurisë është gjithçka që mund të nxisë tek ajo një “ngacmim përrallor të mendjes”, një “mrekulli abstrakte”; që tejkalon çdo përkufizim kohor e hapësinor. Dashuria, ashtu si poezia, është e patjetërsueshme, e pakorruptueshme edhe nga të qenit e dëmshme, është kundërhelmi më i mundshëm i çmendurisë.
“Nuk është poezia ajo që të çmend, por rrethanat e jetës; jo çdo i çmendur është edhe poet”.
Poezia e Alda Merinit nuk hap botë, por i sugjeron ato, jep shpresë, sfidon veten dhe të tjerët, me enigmat e saj. Grumbullon fragmente, zbulon gjurmë hyjnish ikanake, hije të një bukurie që për një moment është shfaqur, jehona zhurmash dhe tinguj tashmë të zhdukur:
“Zemra ime është pyll i shkretë, / i virgjër, dendur me hije dhe zhurma / të lehta, vegimesh fluturake, / ngarendjesh edhe më fluturake”.