A është e vërtetë që në fillim gjithçka shkon gri, pastaj e bardhë, pastaj blu… dhe pastaj ti fluturon për te yjet? Magda në jetë – jo më pak se Magda e vdekur – ishte një enigmë. Një shpirt i lirë, tërheqës por i vetmuar, edhe më shumë në dashuri. Ku shkoi ajo gjatë viteve të zhdukjes së saj? Vërtet në botën e yjeve? Për të shoqin e saj Robert, i cili donte ta zotëronte plotësisht, trup e shpirt, ajo që i dha Magda nuk qe kurrë e mjaftueshme. Ai e vrau duke lënë të dashurin e saj që ta gjente kufomën. Tani, ndërsa miqtë mblidhen për funeralin e saj, misteri i jetës së Magdës zbulohet ngadalë e në mënyrë tërheqëse. Cili prej tyre e njihte vërtet?
Margriet de Moor ravijëzon botën e emocioneve me një saktësi të pagabueshme. Ngjarja tregohet me një frymë stilistike e ritmike të madhërishme, me një ton që shpesh i jep idesë impulse shtesë nëpërmjet asocimeve dhe digresioneve.