Një histori e bukur dashurie. Një mikrokozmos me jetë të rinjsh që kërkojnë të ecin “tre metra mbi qiell”. Vajzat veshin Onyx apo çdolloj tendence të re, flasin për Avant, për Marsan dhe për modën e minutave të fundit. Ato presin të takojnë djaloshin e jetës së tyre. Djemtë bredhin me motor dhe sfidohen në prova force fizike, në shpejtësi, në rrezik. Në sfondin e një jete frenetike klani, bande (grupi mitik i budokanëve) takohen Babi dhe Stepi. Babi, një vajzë gjimnazi model. Koha e saj kalon midis shkollës dhe miqve, gjithnjë bashkë me Poçin, miken e saj të zemrës. Stepi, tip violent, i kalon pasditet para barit me miqtë ose në palestër dhe mbrëmjet mbi motor ose në tavolinat e bilardos. U takojnë dy botëve të ndryshme, por dashurohen marrëzisht me njëri – tjetrin. Nuk është një raport i lehtë sepse asnjë prej tyre nuk lëshon pe lehtë. E megjithatë të dy transformohen… Babi dhe Stepi takohen rastësisht, grinden dhe dashurohen, në harkun e një viti që mbetet i paharruar jo vetëm për ata të dy, por për të gjithë ata që i rrethojnë. Babi dhe Stepi jetojnë në një raport të stuhishëm, por edhe historinë më të bukur të dashurisë që një adoleshent mund të ëndërrojë. Një histori e vërtetë dhe e plotë “kult” midis të rinjve, një histori dinamike, romantike, dëfryese dhe dramatike në të njëjtën kohë. Magji të cilën vetëm në adoleshencë mund të arrish ta kesh. Tre metra mbi qiell, një roman i jetës së përditshme, një histori romantike, një pikturë dinamike e jetës së adoleshentëve ende të pasigurtë për veten e tyre. I botuar fillimisht nga një botues i vogël, romani qarkulloi për vite i fotokopjuar duke u bërë një kult midis të rinjve të kryeqyetit italian.