Ngjarjet historike që përshkruan libri, si ajo e çifutëve të Selanikut, e kulturës dhe artit antik, e ndarjes me to dhe e ndikimit të tyre, e artistëve grekë, e rolit të tyre në ringjalljen e emrit të Greqisë në Perëndim, e politikave dhe politikanëve grekë në çerekshekullin e fundit të shekullit 20, në përgjithësi roli dhe raison d’etre i Greqisë, trajtohen me forcë të madhe realizmi, argumenti logjik dhe intensitet fjale. Ato u japin përgjigje analitike mjaft prej çështjeve të mësipërme. Të krijohet përshtypja se ato histori dhe realitete i ngjajnë, pa shtrembërime, atij vetëmashtrimi dhe iluzioni që politikanët grekë i marrin për të vërteta. Sot, siç duket rëndom, vazhdohet përgjithësisht në të njëjtën linjë që pat filluar rreth viteve 1880, pa menduar thellë se njerëzit, në epokën e bumit informatik, të informacionit në përgjithësi, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ideve, të shoqërisë së hapur, civile e demokratike, arrijnë të kuptojnë mirë dhe shpejt fijet e dukshme e të padukshme, lëvizjet e synimet.
Ngjarjet në disa “xhepa” të Ballkanit, në ato rajone ku mungesa e stabilitetit vazhdon të rëndojë në radhë të parë mbi njerëzit e vetë atyre vendeve, nuk duhen parë si dukuri të shkëputura. Ato janë pjesë e dukurive ballkanike, në përgjithësi, dhe e interesave të disave në Ballkan dhe jashtë tij, në veçanti. Në këto dukuri, rol të ndjeshëm kanë luajtur, veçanërisht, politikat e disa ballkanasve dhe të disa vendeve ballkanike, si dhe ato të disa europianëve dhe të disa vendeve europiane.
Më 1913, Selaniku kishte 157 mijë banorë: 80 mijë çifutë, 35 mijë turq, prej të cilëve 10-15 mijë domne (çifutë të konvertuar në myslimanë gjatë pushtimit osman), 30-35 mijë grekë dhe 7-12 mijë bullgarë, serbë e shqiptarë. Më 1913, grekët thyen dhe bastisën katërqind dyqane çifutësh, me pretendimin se çifutët kishin helmuar puset e ujit…
Kur gjermanët pushtuan Selanikun, në prill 1941, çifutët përbënin komunitetin e dytë më të madh, pas grekëve. Gjermanëve iu deshën dy vjet përpjekje, për t’i plaçkitur Selanikut çifut thesaret e tij artistike. Për pesë muaj me radhë, 15 trena të mbushur plot, e boshatisën Selanikun nga çifutët. U shkatërruan 500 mijë varre, ndoshta më e madhja varrezë çifute në botë.
“Greqia… kurrë nuk ka pasur Mesjetë, ashtu siç e kuptojmë ne, as Rilindje, ashtu siç e kuptojmë ne atë, apo epokë të Iluminizmit.”
Philip Sherrard
“Perspektiva historike e bën Kaplanin një vëzhgues të shkëlqyer… Ai i gërsheton me mjeshtëri shënimet prej gazetari, me një reflektim të pasur historik.”
Business Week