Sociolinguistika, “studimi i gjuhës në raport me shoqërinë”, është një disiplinë deri diku e re: hulumtimet e para të rëndësishme të William Labovit përkojnë me vitet ‘60. Megjithatë, rezultatet e arritura në këtë fushë hodhën dritë nga njëra anë mbi çështje të rëndësishme praktike (për shembull, rendimenti i ulët shkollor i fëmijëve nga shtresat e skamura); nga ana tjetër, mbi probleme teorike delikate, si për shembull, modalitetet e procesit të standardizimit.
Në këtë vëllim, Hudsoni përvijon një kuadër të plotë të teorive të ndryshme sociolinguistike, duke iu referuar vazhdimisht ndihmesave, që kjo fushë studimesh merr nga – dhe, anasjelltas jep për – fusha të tjera hulumtimi të afërta si gjuhësia, antropologjia, psikologjia sociale dhe sociologjia. Ky tekst për studentët dhe studiuesit e gjuhës është riparë (botimi i parë i përket vitit 1980) në mënyrë esenciale nga autori, në bazë të arritjeve teorike më të fundit. Ai përbën një mjet shumë të dobishëm për ata që i qasen studimit të funksioneve të gjuhës në shoqëri.