Edhe pse çështja kryesore e këtij libri ka rrënjë të largëta, të cilat lidhen me çështjen Dreyfus, që në vitet midis shekujve XIX dhe XX e ndau kulturën franceze dhe europiane në dy kampe të papajtueshme, Tradhtia e intelektualëve mbetet një pikë referimi në historinë e ideve në shekullin e 20, një nga tekstet kryesore për rolin dhe autonominë e intelektualëve, një libër që nxit polemikën mbi plagë ende të hapura. “Intelektualë” këtu konsiderohen “njerëz, funksioni i të cilëve është mbrojtja e vlerave të përjetshme dhe të çinteresuara, si drejtësia dhe arsyeja” dhe që “e tradhtojnë këtë funksion për të mirën e interesave praktike”.
Kundër barbarizmit në rritje të shoqërive perëndimore dhe varfërimit të tyre kulturor (nënshtrimi i intelektit ndaj interesave të kapitalit), Benda mbron rolin e vërtetë të intelektualit, sipas tij, si “ruajtës i vlerave” në shërbim të koncepteve universale, si: arsyeja, e vërteta, drejtësia. “Tradhtarët” që sulmon ai janë shovinistë, racistë, fashistë të të gjitha nuancave. Por edhe përfaqësuesit e asaj korporate intelektuale që bëjnë politikë në strehën e epërsisë dhe paanësisë së supozuar; shërbëtorët e çdo regjimi apo ideologjie, edhe kur udhëhiqen nga qëllimet më të mira.
“Një vepër e pasur, e çuditshme, erudite, digresive dhe polemike… Partizan në pretendimet e tij për mungesën e interesit praktik, Benda është i pamëshirshëm në mbrojtjen e fisnikërisë intelektuale… [ ] duke pasur parasysh ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në dekadat pas botimit të librit, sulmi i Bendas ndaj politizimit të intelektit dhe separatizmit etnik nuk mund të mos na duket si parashikues… dhe rëndësia e vëzhgimeve të tij me situatën tonë. vështirë se mund të vihet në dyshim.”
Roger Kimball, The New Criterion
“Tradhtia e intelektualëve është profetike në të dyja kuptimet e fjalës: ajo është denoncuese dhe paralajmëruese.”
Michel Winock, Le Siècle des intellectuels