
Naim Frashëri është poeti më i madh i Rilindjes sonë kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re, që shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres. Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij.